VIDEO | Laçi nuk njeh fushë, “dajak” Skënderbeut në Tiranë

Laç fantastik, Skënderbe zhgënjyes. Një ndeshje që nuk duhej të luhej deri 48 orë përpara sfidës, por më pas federata e çoi ndeshjen në Selman Stërmasi dhe duket se ky stadium i sjell fat skuadrës kurbinase.

Një paraqitje në kufijtë e perfeksionit për bardhezinjtë e Migen Memellit, me ish-sulmuesin që tashmë duket zgjedhja e detyruar për stolin, sepse Laçi ka rigjetur qetësi dhe besim, duke bërë gjëra fantastike. Triumfi 2-0 ndaj Skënderbeut është mëse i merituar për një skuadër luftëtarësh, me emra si Fangaj, Lushkja e Xhixha që tregojnë se futbolli nuk luhet me emër, por edhe me një si Shtubina, i jashtëzakonshëm edhe para porte.

Shkodrani shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e shtatë, ku meritë të madhe kishte Xhixha, i cili gjatë gjithë ndeshjes çmendi mbrojtjen e Skënderbeut. Korçarët duket se duan vetëm ndeshje të mëdha, sepse kundër Laçit dukeshin të përgjumur, faji edhe i stadiumit thuajse bosh.

Rastet nuk munguan në të dy krahët, ashtu si gabimet dhe vonesat e lojës, por nëse kishte një skuadër që e meritonte fitoren, ajo ishte Laçi. Ndërrimet e Memellit ishin më të goditura dhe në pjesën e dytë Laçi erdhi në rritje, humbi raste dhe shënoi golin e sigurisë me Gjonin 5 minuta para fundit. Ndryshon renditja e Superiores, Skënderbeu nuk është i paprekshëm.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 12
E mërkurë, më 7 nëntor, ora 14:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

LAÇI – SKËNDERBEU 2-0
Shënues:
Shtubina 7′, Gjoni 85′

Laçi: Selmani, Fangaj, Toro, Gjoni, Sefgjini, Jonuzi (Eller 64′), Shtubina, Najdenov (Mersinaj 89′), Lushkja, Xhixha, Altiparmanovski (Berisha 35′). Trajner: Migen Memelli.
Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi, Muzaka, Dita, Demte (Guexh 69′), Gripshi (Krasniqi 54′), Bregu, Oto Xhon (Hoxhaj 78′). Trajner: Orges Shehi.

Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Egin Doda, Renato Malaj, Hermal Llapra.
Delegat: Bujar Pregja; Vëzhgues: Arjan Mali.
Kartonë të verdhë: Altiparmakovski 28′, Sefgjini 37′, Berisha 59′ / Radas 84′

7 ‘ GOL – Xhixha kroson në zonë për Shtubinën, i cili me kokë arrin të shënojë në portën e Skënderbeut.

85′ GOL – Gjoni ka realizuar pas një rrëmuje në zonën e Skënderbeut. Kurbinasit në festë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *