Një gol i Kristian Ezikes i dhuroi fitoren Vorës së vendit të fundit në ndeshjen kundër Dinamos. Klubi kryeqytetas nuk përfitoi nga humbja e Vllaznisë në Shijak dhe vazhdon të renditet në vendin e tretë në grupin A të Kategorisë së Parë me 24 pikë, 11 më pak se shkodranët kryesues.
Dinamo ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke protestuar për një penallti të padhënë kundër Vorës. Kjo nuk hera e parë që ndodh një gjë e tillë, pasi blutë pretendojnë të jenë ndëshkuar nga arbitrat dhe në përballjet me dy ekipet kryesuese.
Pamjet e ofruara flasin vetë dhe janë shokuese, por arbitri Blerim Ziri ka vendosur vazhdimin e lojës. Ndeshja e radhës është në shtëpi përballë Ilirisë së Fushë Krujës dhe klubi nga Tirana bën thirrje për një gjykim korrekt, pavarësisht se si përfundon ndeshja.
Deklarata e plotë e klubit të Dinamos – “Dinamo vazhdon të bjerë pre e arbitrimit skandaloz të gjyqtarëve! Nuk duam kurrsesi të justifikojmë humbjen në fushë, por nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj indinjatës së tifozëve, që me të drejtë reagojnë ndaj vendimeve të gjyqtarëve.
Duke e ditur mjaft mirë që jemi pjesë e një kampionati që diferencën në fushë e bëjnë episodet, po ju tregojmë këtë video, ku na mohohet sërish një penallti “sade” në ndeshjen e fundit ndaj Vorës. Kjo është humbja e tretë e jona ku protagonist bëhen gjyqtarët.(kujtojmë këtu penalltitë e padhëna edhe ndaj Vllaznisë e Erzenit)
Nuk e dimë se kujt i prishim punë, por Dinamo nuk mund të luftohet nga faktorë të jashtëm sa herë që merr rezultate pozitive.”