VIDEO/ Olimpiakosi bën çudinë në Europë, grekët shpërfytyrojnë Aston Vilën në Angli

Olimpiakosi është padyshim çudia e madhe e mbrëmjes së sotme. Klubi grek ka thyer të gjitha pritshmëritë, duke shpërfytyruar Aston Vilën në Angli. Ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Konferencës përfundoi me shifrat 2-4, me El Kabin që ishte heroi i skuadrës nga Pireu.

Sulmuesi maroken befasoi ekipin anglez që në pjesën e parë të takimit. Futbollisti 30-vjeçar shënoi 2 gola brenda tre minutave (16’, 19’), duke i dhënë epërsinë Olimpiakosit. Uatkinsi ngushtoi diferencën në minutën e parë të shtesës së pjesës së parë, ndërsa në të 52-tën Diabi rikheu baraspeshën. Një baraspeshë që do të zgjaste fare pak. Vetëm 4 minuta me vonë El Kabi e dërgoi sërish topin në rrjetë, por këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë. Në fund ishte Heze ai që në minutën e 67 mbylli përfundimisht historinë e këtij takimit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/