Milwaukee Bucks, Boston Celtics dhe Houston Rockets kanë triumfuar edhe në përballjet e dyta të raundit të parë te serie “play-off”. Sigurisht kalimi në raundin tjetër duhet pritur, pasi dihet në NBA shpesh dhuron surpriza. Aktualisht gjëra po shkojnë sipas parashikimeve.
Milwaukee Bucks janë favoritë absolutë dhe këtë herë Detroit Pistons i kanë mundur me rezultatin 120-99. Giannis Antetokounmpo (26 pikë, 4 asiste, 12 rikuperime) ishte në lartësinë e duhur si zakonisht, ndërkohë që pati edhe mbështetje të madhe: Eric Bledsoe shënoi 27 pikë, Khris Middleton 24 dhe Pat Connaughton 18. Një ndeshje e balancuar në fillim, me Bucks që bënë mirë në periodën e parë, kurse në të dytën Pistons rikuperuan dhe kaluan një pikë para. Gjithsesi pjesa e dytë e ndeshjes foli vetëm për vendasit, që dominuam totalisht dhe fituan.
James Harden udhëhoqi Houston Rockets në fitoren e dytë ndaj Utah Jazz. Ndeshja përfundoi 118-98, ndërkohë që basketbollisti amerikan parakaloi Hakeem Olajuwon (437 asiste), duke u bërë asistuesi më i mirë në historinë e skuadrës së tij. Harden asistoi 10 herë, ndërkohë që regjistroi “triple-double”. Ai ishte autor edhe i 32 pikëve dhe 13 rikuperimeve.
Indiana Pacers nuk ka rezistuar dot ndaj Boston Celtics, edhe pse e nisi mirë periodën e parë që u mbyll 29-33. Vendasit arritën ta kthejnë në favor ndeshjen pas gjysmës së parë të saj, ndërkohë që Pacers u “ringjallën” sërish duke shënuar 7 pikë më shumë në periodën e tretë. Gjithsesi ndeshja nuk kishte përfunduar dhe Celtics gjetën fuqinë për të bërë një periodë të katërt perfekte. 19 pikë më shumë dhe ndeshja u mbyll 99-91. Kyrie Irving (37 pikë, 7 asiste, 6 rikuperime) ishte më i miri në parket, ndërkohë që edhe Jayson Tatum (26 pikë, 2 asiste, 4 rikuperime) bëri një ndeshje shumë të mirë.
Boston Celtics-Indiana Pacers 99-91 (2-0)
Milwaukee Bucks-Detroit Pistons 120-99 (2-0)
Houston Rockets-Utah Jazz 118-98 (2-0)