Video | Lukas Moura e Kejn vallëzojnë me Junajtid, Murinjo me valixhe në duar

Junajtid është në krizë rezultatesh, ndërkohë që me këto ritme mund të humbasë edhe trajneri Zhoze Murinjo. Sot “Djajtë e kuq” u mundën nga Totenhemi me rezultatin 0-3 dhe në tre javët e para kanë marrë vetëm tre pikë, çka tregon edhe situatën jo të mirë që po kalojnë.

Skuadra e Murinjos bëri një pjesë të parë më të mirë dhe mund të kishte shënuar, pasi kishte raste, por 45 minutat e para u mbyllën në barazim pa gola. Futbolli pastaj ka edhe një rregull të pashkruar: “Po nuk shënove, e pëson”. Junajtid e provoi. Herri Kejn ishte ai që zhbllokoi ndeshjen pas një goditjeje këndi.

Krosimi në zonë i Tripier shkoi drejt sulmuesit anglez, i cili me kokë goditi saktësisht dhe e dërgoi topin drejt e në rrjetë, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi De Geas. Një gabim i mbrojtjes në mbulim dhe Totenhemi e pa veten në avantazh. Jo vetëm kaq, por ata shfrytëzuan vrullin e golit të parë.

Dy minuta më pas, në të 52’, një zbritje nga e djathta me Eriksen u konkretizua me gol. Holandezi asistoi në zonë për Lukas Moura dhe braziliani nuk fali, duke dyfishuar shifrat. Goditje e rëndë për Mançesterin, që ushtroi presion për ta hapur takimin. Gjithsesi Kejn-Lukas Moura janë të papërmbajtshëm.

Sulmuesi anglez shërbeu për ish-lojtarin e PSG-së, i cili bën çfarë të dojë mes mbrojtjes së Mançesterit dhe mposhti për të tretën herë De Gean në të 84′. Praktikisht ndeshje e mbyllur, edhe pse në Premier League zakonisht duhet pritur fundi i takimit. Totenhemi është në rrugë të mbarë, teksa në tre ndeshje ka marrë pikë të plota. Për të mos harruar ka bërë 0 lëvizje në merkato. Kështu që Murinjo nuk ka pse ankohet…

Premier League – Java 3
E hënë, më 27 gusht 2018, ora 21:00

Mançester Junajtid-Totenhem 0-3
Shënues:
Kejn 50’, Lukas 52’, 84’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *