Miqësore luksi, por edhe shpërfytyrim për Napolin e Ançelotit, që në Dublin është mundur 5-0 nga të kuqtë e drejtuar nga Jurgen Klop, i cili përpara ndeshjes pati një takim me Ançelotin dhe biseduan gjatë…
Te “reds”, që kishin tifozerinë me vete, pasi stadiumi ishte thuajse i gjithi i kuq, debutoi portieri brazilian Alison, i blerë nga Roma këtë verë, për shifrën rekord.
Sakaq, te axurrët, Hysajt e nisi titullar në pozicionin e tij, por ishte mbrëmja katastrofë për portierin Karnezis, autor i tre gafave që sollën po aq gola për anglezët.
Në pjesën e parë, pas vetëm 4 minutash lojë, Milner shënoi për “reds”: Salah i papërmbajtshëm në krah, Mane gjen Milnerin brenda zonës, që nuk fal.
Vetëm pesë minuta më pas, Uijnaldum shënoi sërish. Gabim i portierit Karnezis që del vetëm me një dorë, duke e lënë portën bosh. Mesfushori shënon lehtësisht.
https://www.youtube.com/watch?v=t8kyqsGRiv4&feature=youtu.be
Napoli shënoi me Kajehon, por arbitri anuloi më kot. Sakaq, Milner pësoi një goditje në kokë dhe doli i gjakosur dhe me medikamentet e posaçme, edhe pse më pas u rikthye.
Në pjesën e dytë, të kuqtë shënuan me Salah, por ishte një faull që arbitri nuk pa. Protesta të axurrëve.
Sakaq, në të 73’, Starrixh përfiton nga një pakujdesi e mbrojtjes dhe sërish portierit.
Në minutën e 77’, sërish Karnezis protagonist, duke i dhënë mundësi Morenos të realizojë. Goditje jo e pakapshme, por portieri hidhet më kot.
Në pjesën e dytë, sakaq, u aktivizua edhe Xherdan Shaqiri, duke provuar edhe disa herë të shënonte.