Liverpuli nuk ndalet dhe arrin fitoren e katërt radhazi në Premier Ligë. Djemtë e Klopit fituan me rezultatin 1-2 në transfertë përballë Lester Sitit, duke u ngjitur në krye të tabelës me pikë të plota.
Sadio Mane zhbllokoi ndeshjen në minutën e 10-të të takimit. Senegalezi mori një top nga Robertson dhe pasi kreu një lëvizje të bukur në zonë, goditi fort duke kaluar ekipin në avantazh.
Dyfishimi erdhi në fundin e pjesë së parë me anë të Roberto Firminjos në minutën e 45-të. Milner krosoi një top nga goditja e këndit dhe braziliani, i harruar nga mbrojtja e vendasve, shënoi me kokë duke dyfishuar rezultatin.
Lesteri reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të ngushtonte diferencën me anë të algjerianit Gezal në minutën e 63-të. Një gabim i pafalshëm i portierit Alison dhe Madison përfitoi duke i rrëmbyer topin. Ai pasoi drejt Gezalit, i cili shënoi me portën e boshatisur.
Disa minuta dhe për Xherdan Shaqirin, i cili u fut në lojë në minutën e 71-të nga trajneri Klop në vend të Salah. Ndeshja nuk kishte më gola dhe u mbyll me fitoren e Liverpulit, që ngjitet në krye të Premier Ligës me 12 pikë.