VIDEO | Lacio kalon transfertën e Frosinones, Strakosha e Kaisedo heronj

Lacio ka marrë një triumf mjaft të rëndësishëm në transfertën e Frosinones, teksa ka fituar me shifrat 0-1. Heronj të takimit për ekipin bardhekaltër ishin Felipe Kaisedo, i cili shënoi në minutën e 36-të, por edhe portieri i kombëtares sonë, Tomas Strakosha. Gardiani shpëtoi ekipin e tij në minutën e 85-të.

Ndeshja nisi që në fillim me ekipin e Simone Inzagit mjaft këmbëngulës, të cilët u shpërblyen në minutën e 36-të. Ishte Luis Alberto me një pasim të bukur drejt Felipe Kaisedos, me këtë të fundit që u tregua i saktë përballë portierit vendas, duke çuar në avantazh ekipin e tij.

Pjesa e parë u mbyll më avantazhin e lacialëve. Në fraksionin e dytë, ekipi bardhekaltër mendoi të administronte më së shumti. Valon Berisha u aktivizua në minutën e 58-të, ndërsa vlen për t’u përmendur që Tomas Strakosha ishte thelbësor në triumfin e ekipit të tij, teksa në minutën e 85-të shpëtoi portën nga një gol i sigurt.

Kështu, Lacio merr një fitore me rëndësi, që e afron në vetëm -1 pikë nga Milani i vendit të katërt. Javën e ardhshme, ekipi i Inzagit pret në shtëpi Empolin, ndërsa Frosinone do të udhëtojë për të luajtur në transfertë ndaj Sampdorias.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *