Kili e nis me këmbën e mbarë në Copa Amerika. Fituesit në fuqi të këtij kompeticioni kanë mposhtur Japoninë me rezultatin 4-0 dhe kanë marrë kështu tre pikët e para. Pavarësisht rezultatit, skuadra aziatike ka rrezikuar shpesh dhe ndoshta edhe nuk e ka merituar një humbje me shifra të tilla.
Për t’u zhbllokuar ndeshja janë dashur 40 minuta lojë dhe pas një harkimi nga këndi ka qenë Erik Pulgar ai që me një goditje me kokë e ka dërguar topin drejt e në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll m rezultatin 1-0, kurse në të dytën Kili shënoi shumë shpejt edhe golin e qetësisë.
Edoardo Vargas, pas një aksioni model të skuadrës së tij, nuk fali me një goditje brenda zonës së rreptësisë. Topi u devijua pak dhe shkoi në rrjetë. Në fund të takimit erdhën edhe dy gola të tjerë, fillimisht ishte Aleksis Sançez që realizoi me një goditje me kokë, ndërsa Vargas me një parabolë mposhti për të katërtën herë portierin e Japonisë, Osako.
Për Vargas ky ishte goli i 38-të me Kilin, çka e bën atë shënuesin e dytë më të mirë në historinë e kombëtares së vendit të tij. Ai ka parakaluar Marcelo Salas, autor i 37 golave. Më mirë ka bërë vetëm Aleksis Sançez, i cili numëron 42 gola me Kilin.
COPA AMERICA – GRUPI C
Kili-Japoni 4-0
Shënues: Pulgar 41’, Vargas 54’, 83’, Sançez 82’