VIDEO/ Kërkoi një selfie me Del Pieron pas humbjes me Atletico Madrid, tifozët e Dortmundit inatosen me trajnerin e tyre pas ndeshjes

Disi në hijen e ndeshjes mes PSG-së dhe Barcelonës, skuadrat e Atletico Madrid dhe Borussia Dortmund luajtën ndeshjen e tyre të parë të çerekfinaleve të Champions League, ku vendasit fituan në shifrat 2-1. Lëvizja e Edin Terzic pas ndeshjes zemëroi tifozët e Borussia Dortmundit, të cilët u mërzitën nga humbja e ekipit të tyre në ndeshjen e parë çerekfinale. Gjithçka ndodhi pas ndeshjes ku trajneri i Dortmundit dha një intervistë me Del Pieron.

“Nuk jemi të zhgënjyer, kemi mundësi të tregojmë se nuk luajmë futboll vetëm 60 minuta, por 90 apo edhe 120”, ka thënë ndër të tjera Terzic. Pas kësaj, Del Piero e falënderoi dhe i tha trajnerit se do të shiheshin pas shtatë ditësh. Dhe pas kësaj një surprizë e keqe për tifozët e Dortmundit, teksa Terzic u kthye për të bërë një foto selfie me Del Pieron. Tifozët nuk arrijnë dot që ta kuptojnë sesi trajneri i tyre mendonte të bënte një selfie kur skuadra e tyre u mund nga Atletico Madrid. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/