VIDEO/ Juventusi “hakmerret” për humbjen në sekondat e fundit, mposht Lacion në Kupë dhe nuk e lë të godasi asnjë herë portën

Juventusi ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Lacios. Bardhekaltrit pak ditë më parë mposhtën “zonjën e vjetër” me një gol në sekondat e fundit në kampionat, por sot bardhezinjtë kanë përmbushur “hakmarrjen” e tyre.

Juventusi ka fituar sot me rezultatin 2-0. Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta solli epërsinë e ekipit të Alegrit. Federiko Kieza e dërgoi i pari topin në rrjetë në minutën e 50, teksa në të 64-tën Vlahoviçi vulosi shifrat përfundimtare në 2-0. Ndërkohë, Lacio provoi 11 herë të shënonte, por asnjë prej gjuajteve nuk përfundoi në kuadratin e portës. Finalisti do të përcaktohet më 23 prill, kur skuadrat do të ballafaqohen për herë të dytë me njëra-tjetrën./Halit Delibashi-Sport Ekspres/