Zhvillime të shumta në Superiore një ditë më parë. Ndryshe nga se kishte ndodhur deri më tani, pati edhe arbitra të huaj. Në Laç ishin luksemburgas ata që vendosën drejtësi, ndërkohë që ndeshja nisi me një minutë heshtje. Kelvin Jushi dhe Erjon Jushi, të vrarë pak ditë më parë në qytetin verior, kanë mbrojtur në të shkuarën ngjyrat bardhezi dhe në nder të tyre takimi Laçi-Kastrioti nisi me një minutë heshtje. Kelvini, veçse me kurbinasit, ka luajtur edhe me krutanët.
TË GJITHA NË VLORË – Tifozët e Flamurtarit shënjestruan menjëherë Lorenc Trashin, me të cilin pati një moment tensioni pa nisur ndeshja. Më pas ishte radha e pajtimit me zyrtarin e vlonjatëve, zëdhënësin dhe fotografin Shkëlqim Ramaj. Grushtet në kryeqytet u kthyen në duartrokitje këtë herë. Paqe.
Për të kaluar te lojtarët në fushë, të cilët patën edhe një dedikim për Egzon Belicën. Një nga golat shkoi pikërisht për mbrojtësin, i cili mungoi për shkak se dy ditë më parë humbi jetën babai i tij dhe ishte lënë pushim nga ekipi.
SHERRI NË KRYEQYTET – Goli i shënuar nga Edon Hasani solli trazira në stadiumin “Selman Stërmasi”. Me një tribunë VIP të mbushur, pati një përplasje mes një tifozi dhe zyrtarëve të klubit Skënderbeu. Ofendimet u shoqëruan edhe me ndonjë send të lëshuar. Shumë tension, madje edhe nga një figurë si Blendi Nallbani.