Finalja e edicionit të 102-të të Kupës së Francës, mes PSG-së e Renës, ka dhuruar emocione dhe spektakël të jashtëzakonshëm, diçka e papritur duke pasur parasysh hendekun në cilësi mes dy ekipeve. Në fund ka triumfuar Rena, që ka fituar kupën pas 48 vitesh pritjeje!
PSG rikuperonte për finalen edhe yllin e sulmit, brazilianin Nejmar, ndërkohë që skuadra ishte shumë më e plotë se në javët e fundit.
Megjithatë, Rena kërcënonte me një fenomen si Hatem Ben Arfa, i cili te PSG nuk ia doli, por në Renë është kthyer sërish në mbret.
Fillimi ishte i tëri për PSG, sepse Dani Alvesh shënoi një gol stratosferik, ndërsa Nejmar dyfishoi. Gjithçka në 21 minuta dhe u duk se finalja mori fund pa nisur mirë.
Megjithatë, reagimi i Renës ishte i mrekullueshëm, sepse presioni në rritje bëri që Kimpembe të shënonte autogol në minutën e 40-të dhe në minutën e 66-të Edson Sitoe Mekser barazoi.
Asnjë gol më pas deri në fund të kohës së rregullt, asnjë gol as në shtesa, aty ku pak momente para penalltive Kilian Mbape kreu një faull absurd dhe doli me karton të kuq.
Nga pika e bardhë ishte një perfeksion i pabesueshëm, sepse 5 penalltitë e para u shënuan me një saktësi impresionuese, përfshirë emra si Kavani, Ben Arfa e Nejmar, derisa në penalltinë e gjashtë mbrojtësi i ri Nkunku goditi shumë keq, mbi traversë.
Rena në ekstazë, trofeu është i saj, ndërsa për herë të parë në 5 vitet e fundit kupa nuk shkon në Paris!
SENSATIONNEL ! Le Stade Rennais F.C. remporte sa 3ème @coupedefrance de son histoire aux dépens du Paris SG, l’adversaire le plus coriace de France. ma Doue benniget ! Quel pied ! ? pic.twitter.com/4EVfu1jZUC
— Stade Rennais F.C. (@staderennais) April 27, 2019