VIDEO | Festojnë shqiptarët në Itali, triumfojnë Atalanta dhe Empoli

Trepikësh i rëndësishëm për Atalantën, që lë pas krahëve humbjen me Napolin në shtëpi. Ekipi bergamask fitoi në transfertë përballë Udinezes me rezultatin 1-3. Duvan Zapata ishte heroi i miqve me trigolëshin përballë ish-skuadrës së tij. Etrit Berisha u aktivizua si titullar, ndërsa Berat Gjimshti nuk ishte pjesë e kësaj ndeshje.

Atalanta e gjeti shumë shpejt golin. Zapata përfitoi nga një devijim i Toloit pas një goditje këndi dhe kaloi ekipin e tij në avantazh. Udineze reagoi shumë shpejt dhe barazoi takimin pas dhjetë minutash.

Një kundërsulm i shpejtë i vendasve e gjeti mbrojtjen e Atalantës të papërgatitur dhe Lasanja nuk e pati të vështirë ta dërgonte në rrjetë asistin e D’Alesandros. Pjesa e parë nuk pati më gola, ndërsa miqtë shënuan sërish në minutën e 61. Barrou lëvizi mirë nga krahu i djathtë, u fut në zonë dhe tentoi të godiste.

Topi i devijua dhe përfundoi te Zapata, i cili shënoi golin e dytë për Atalantën. Kolumbiani nuk u ndal dhe shënoi të tretin personal dhjetë minuta përpara fundit, duke shfrytëzuar një asist të Hatebër. Kjo fitore i ngjit miqtë në vendin e gjashtë me 21 pikë, ndërsa bardhezinjtë vazhdojnë të lëkunden në pozita të këqija, duke u renditur në vendin e katërt nga fundi me 13 pikë.

Në dy ndeshjet e tjera Empoli i Frederik Veselit fitoi në shtëpi përballë Bolonjës me rezultatin 2-1. Mbrojtësi i kombëtares u aktivizua si titullar, ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e parë. Fitorja e tretë rresht në shtëpi për Empolin, që ngjitet në kuotën e 16 pikëve, pesë më shumë se vendi që të dërgon një kategori më poshtë.

Parma dhe Kievo u ndanë në barazim mes tyre. Gjithçka ndodhi në minutat e para të pjesës së dytë. Stepinski kaloi vendin e fundit në renditje në avantazh, ndërsa Bruno Alvesh barazoi shifrat dhe ndeshja nuk pati më gola.

Empoli-Bolonja 2-1
(Kaputo 10’, La Gumina 80’ / Poli 41’)

Parma-Kievo 1-1
(Bruno Alvesh 53’ / Stepinski 47’)

Udineze-Atalanta 1-3
(Lasanja 12’ / Zapata 2’, 62’, 80’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *