Tërbuni i Pukës ka fituar sot 1-0 ndaj Burrelit dhe ka hedhur një hap gjigant drejt mbijetesës në Kategorinë e Parë, sepse në dy ndeshjet e mbetura do t’i mjaftojnë 3 pikë për të festuar pa pasur nevojë as për ndeshjet play-off.
Vendimtar ka qenë një gol i shënuar nga mbrojtësi Flavio Prendi në fillim të ndeshjes, me një goditje spektakolare direkt nga goditja e dënimit.
Goli i dytë në kampionat për 22-vjeçarin nga Puka, i cili është bërë vendimtar sot, ndërkohë që Kategoria e Parë tregon që ka edhe gola fantastikë e lojtarë interesantë, pavarësisht se është e lënë pas dore dhe ka një organizim mediokër, që lejon disa klube të bëjnë dallavere e të sillen në mënyrë amatore.