Çelsi ka kaluar pa probleme më tej në Kupën e Anglisë, teksa ka mposhtur lehtësisht me shifrat 3-0, Shefilld Uednesdej. Për blutë e Londrës, golat u shënuan nga Hadson Odoi dhe Uillian, i cili arriti të tundte rrjetën dy herë.
Fillimisht në minutën e 26-të, anësori brazilian i ekipit të Sarrit, hapi serinë e golave, teksa shënoi nga pika e bardhë, ndërsa në fraksionin e dytë gjeti golin në minutën e 83-të. Më parë, në minutën e 64-të, talenti Hadson-Odoi kishte shënuar dhe golin e dytë. Gjithashtu, vlen për t’u përmendur dhe debutimi i Gonzalo Higuain, i cili luajti për 82 minuta.
Ndërkohë, Totenhemi nga ana tjetër duket se vuan shumë mungesat e mëdha të dyshes së sulmit, Herri Kejn dhe Son. Disfatë për ekipin e Poçetinos, të cilët eliminohen dhe nga “FA Cup” nga Kristal Palas, në një sfidë që përfundoi me shifrat 2-0 në favor të vendasve.
Sfida u zgjidh që në pjesën e parë, teksa fillimisht Uikham, në minutën e 9-të dhe më pas Tausend nga pika e bardhë në minutën e 34-të i dhan avantazhin e dyfishtë vendasve. Vlen për t’u përmendur që në minutat e fundit të pjesës së parë, Triper humbi një mundësi të artë, ku shpërdoroi një 11-metërsh.