Mauricio Sarri ishte shprehur gjatë ditës së djeshme se nuk e di sesi fitohet kundër Pep Guardiols, ndërsa tashmë italianit do i duhet të tregojë recetën sekrete. Çelsi arriti një fitore të madhe kundër Mançester Sitit, duke i shkaktuar humbjen e parë në kampionat “Qytetarëve”.
Kante dhe David Luiz ishin heronjtë e “Bluve të Londrës”, që ngjiten në vendin e tretë me 34 pikë, po aq sa Arsenali, shtatë më pak se Siti dhe tetë më pak se Liverpuli kryesues.
Për të shijuar golin e parë në “Stamford Bridge” u desh të pritej minuta e fundit e pjesës së parë. Hazard lëvizi bukur në krahun e majtë, tërhoqi disa lojtarë rreth vetës dhe dhuroi një pasim në zonë. Kante ishte në vendin e duhur dhe shënoi, duke kaluar vendasit në avantazh dhe dy ekipet në dhomat e zhveshjes.
Pjesa e dytë nisi me ritëm, por David Luiz i dha fund shpresave të ekipit të Guardiolës për të marrë pikë në këtë takim. Mbrojtësi brazilian shfrytëzoi një goditje këndi të Hazard, i cili regjistroi asistin e dytë, dhe kërceu bukur duke mposhtur patriotin Ederson.
Ndeshja nuk dhuroi më gola dhe tifozët e Çelsit shpërthyen në festë, pasi një fitore kundër kampionëve në fuqi është gjithmonë diçka speciale.
Çelsi-Mançester Siti 2-0
(Kante 45′, David Luiz 78′)