VIDEO/ Atalanta shkatërron Fiorentinën në minutat shtesë, Gjimshiti do të luajë në finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit

Atalanta do të jetë finalistja e dytë e Kupës së Italisë. Berat Gjimshiti me shokë do të përballen me Juventusin për të të bërë të tyren trofeun. Zikaltrit kanë mposhtur sot Fiorentinën me shifrat e thella 4-1. Lojtarët e Gasperinit hynë në fushë të motivuar për të përmbysur humbjen 1-0 në Firence, teksa Koopmeiners-i zhbllokoi rezultatin në minutën e 8 të takimit.

Quarta rivendosi baraspeshën në minutën e 68, por 7 minuta më vonë Scamacca i dha sërish epërsinë bergamaskëve. Kur ndeshja pritej të shkonte drejt 30 minutave të kohës shtesë, Atalanta hodhi ‘knock out’ Fiorentinën. Lookman tundi rrjetën në të 94-tën , ndërsa 4 minuta më vonë Pasalic-i vulosi shkatërrimin e “vjollëve”. Kujtojmë se Fiorentina luajti me një lojtar më pak që nga minuta e 53-të, kur Milenkovic-i u ndëshkua me karton të kuq./Halit Delibashi-Sport Ekspres/