Ndeshje me një portë në Bergamo, por feston… Milani. Atalanta nuk ia ka dalë të marrë pikët e plota kundër Empolit, që u mbrojt me forca të shumta gjatë 90 minutave dhe nuk pësoi gol edhe pse drejt portës toskane vërshoi një breshëri goditjesh, 18 të tilla në kaudrat e rreth 40 në toral!
Një takim i mbyllur me rezultatin e bardhë 0-0 dhe skuadra Berat Gjimshitit dhe Etrit Berishës shkon në kuotën e 53 pikëve, dy më pak se kuqezinjtë e renditur në vendin e katërt.
Portieri Dragovksi ishte në lartësinë e duhur në rastet që shkuan në kuadrat, ndërkohë që lojtarët e Atalantës gabuan shpesh në tentativat e tyre. Në fakt mund të shkonte edhe më keq, pasi në fundin e ndeshjes Empoli iu afrua golit me Di Lorenzon.
Për Empolin, edhe një pikë vlen shumë në luftën për mbijetesë. Diferenca me Bolonjën rivale është dy pikë dhe skuadra e Veselit është në garë për të mbetur në Serie A. Mbrojtësi i kombëtares sonë ishte titullar dhe u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 61-të. Berisha e Gjimshiti e ndoqën takimin nga stoli dhe sigurisht që pas ndeshjes e kanë lënë stadiumin të hidhëruar.