VIDEO | Arsenali tregon forcën, trondit Totenhemin dhe arrin Championsin

Arsenali ka triumfuar në derbin e Londrës ndaj Totenhemit, duke kaluar një provë force, në luftën për zonën Champions. Topçinjtë e drejtuar nga Unai Emeri, kanë përmbysur disavantazhin e pjesës së parë, duke e mbyllur ndeshjen me shifrat përfundimtare 4-2.

Ndeshja nisi menjëherë me gol, ku Arsenali fitoi të drejtën për të ekzekutuar një 11-metërsh. Obamejang u tregua i saktë dhe kaloi në avantazh të tijtë. “Gjelat” e Londrës nisën të ushtronin presion më pas dhe në minutën e 30-të u shpërblyen, ku ishte Erik Dajer që barazoi sfidën.

Vetëm katër minuta më pas, konkretisht në minutën e 34-t, Herri Kejn shndërroi në gol një 11-metërsh dhe avantazhi ishte i ekipit të Poçetinos, pas përfundimit të pjesës së parë. Në fraksionin e dytë “topçinjtë” erdhën me një marsh më tepër dhe këtë gjë e vërtetuan në minutën e 56-të.

I zakonshmi Obamejang shënoi një supergol duke vënë dhe një herë baraspeshën në “Emirates”. Arsenal vijoi me momentin e mirë dhe në minutën e 74-t ishte Aleksandër Lakazet, i cili çoi në festë tifozët e pranishëm. Tre minuta më pas ishte momenti i Lukas Torreirës për të hipotekuar çdo gjë dhe për të mbyllur sfidën në shifrat  4-2.

Ky triumf e ngjit ekipin e Emeri në vendin e katërt, që është dhe vendi i fundit që të dërgon në Champions për sezonin e ardhshëm. Ndeshja e radhës për Arsenal do të jetë në “Old Traford”, për një duel të zjarrtë ndaj Mançester Junajtid.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *