VIDEO | Aromë krize te Kukësi, Teuta është “bunker”

Është mbyllur dhe ndeshja e fundit e javës së 13-të mes Kukësit dhe Teutës, në një barazim 1-1. Në një ndeshje interesante dhe me ritëm skuadrat ndanë nga një pikë, por ky rezultati shkon për shtat “djemve të detit” që vijon me serinë e ndeshjeve pa humbje. Situatë jo e mirë për Kukësin, që nuk fiton prej 3 ndeshjesh dhe e sheh vendin e parë gjinjë e më larg.

Minuta e para ishin më të mira për Kukësin, që kishte më shumë iniciativë dhe kërkonte më shumë të rrezikonte. Më se normale duke ditur se vinte pas dy ndeshjeve pa fitore. Gjithsesi, shkëndijën e parë e krijoi Progni, por tentativa e tropojanit shkoi ngjitur me shtyllën.

Më pas ishte një rast i Shametit, por kapiteni i kuksianëve nuk mundi që të godite siç duhet. Kur u duk sikur frenat e lojës po i merrte në dorë Kukësi, erdhi dhe goli i durrsakëve. Kamara mori rolin  një qendërsulmuesi, pas daljes së Latif të dëmtuar, por rezultoi një lëvizje e goditur, pasi pikërisht lojtari nga Guinea kaloi bregdetarët në avantazh. Kukësi ishte i vendosur jo mirë në goditjen e dënimit,  duke i dhënë mundësinë skuadrës së Shkëmbit që të interpretonte më së mirë skemën e planifikuar.

Pak minuta më vonë Rexhinaldo gjeti rrugën e rrjetës, por anësori ngriti flamurin, duke sinjalizuar një pozicion të parregullt. Protesta të shumta të vendasve, për një rast që ishte tejet i diskutueshëm, duke parë dhe përsëritjet. Kukësi dukej në presion dhe i dëshpëruar në kërkim të golit të barazimit.

Pjesa e dytë do të niste mirë për verilindorët, pasi Shkodra shërbeu saktë për Rexhinaldon, i cili këtë herë në pozicion të rregullt goditi saktë me kokë duke e çuar topin pas shpinës së Hidit. Ekuilibër në “Selman Stërmasi” dhe festë nga tifozët e paktë kuksian që kishin zgjedhur për ta parë këtë ndeshje nga stadiumi.

Minutat e mbetura sollën pak raste të rrezikshme, me ekipet që kishin një farë frike për të mos e humbur ndeshjen. Kukësi ishte disi më i guximshëm, por nuk mjaftonte për të gjetur golin e epërsisë. Vecaj për Teutën dhe Shkodra për Kukësin regjistruan rastet e fundit të rrezikshëm të kësaj ndeshjeje.

Kukësi nuk fiton për të tretën ndeshje radhazi dhe tani arritja e objektivit titull mund të thuhet se është një mision gati i pamundur, pasi diferenca me Partizanin e vendit të parë është plot 10 pikë. Teuta në krahun tjetër nuk humbet prej 6 ndeshjesh dhe tregon se është një “kockë” e fortë. Me këtë pikë, skuadra e Shkëmbit shkon në kuotën e 22 pikëve, po aq sa dhe Laçi i vendit të tretë.

Kategoria Superiore – Java 13
E hënë, më 11 nëntor 2018, ora 14:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

KUKËSI 1-1 TEUTA
Shënues:
Kamara 30’/ Rexhinaldo 49′

Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi, Zguro (Qaqi 67′), Ethemi (Çyrbja 78′), Shkodra, Dzaria, Shafik (Kalaja 79′), Shpehar, Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu. Të gatshëm: Maloku, Krasniqi, Selimi, Limaj.
Teuta: Hidi, Gjorgievski, Shkalla, Kamara (Ndreca 87′), Beqja, Sidibe, Avdyli (Gashi 62′), Osmani, Kallaku, Progni, Latif (Vecaj 28′). Trajner: Bledi Shkëmbi. Të gatshëm:  Celeski, Kruja, Vila, Vogli.
Kartonë të verdhë: Zguro 29′, Shameti 76’/ Beqja 37′, Avdyli 43′, Osmani 88′
Gjyqtarë: Kridens Meta, Rudin Preca, Ani Kociaj, Orlando Kuka.
Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Plarent Kotherja.

GOLAT DHE RASTI I DISKUTUESHËM

49’ – Pas harkimit të Shkodrës, Rexhinaldo nuk gabon këtë herë, teksa me kokë gjen golin e barazimit.

34′ – RAST I DIKUTUESHËM – Rexhinaldo gjen rrugën e rrjetës, por anësori akordon pozicion jashë loje. Moment shumë i diskutueshëm.

30′ – GOOOL – Pas ekzekutimit perfekt të një goditje dënimi, Kamara në shtyllën e parë nuk pengohet nga askush dhe e shtyn topin drejt rrejtës.

Nuk mungon as trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, i cili me pak minuta vonesë ka mbërritur në stadiumin e kryeqytetit.

Joti i huazuar te Tomori, Musolli dhe Rrumbullaku të dëmtuar si dhe Basha që  nuk është grumbulluar për këtë ndeshje kanë zgjedhur që ta ndjekin ndeshjen kundër Teutës nga tribuna  e”Selman Stërmasit”.

Joti, Musolli, Rrumbullaku dhe Basha ndejkin ndeshjen nga tribuna | Foto: FK Kukësi

Trajneri i Partizani, Skënder Gega, ka preferuar që ta ndjekë nga stadiumi ndeshjen mes Kukësit dhe Teutës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *