Për ata që mendonin se Ajaksi ishte thjesht një rastësi kur eliminoi Realin e Madridit, me madrilenët që janë në krizë këtë sezon, përgjigja erdhi sot, sepse holandezët luajtën një ndeshje fantastike kundër Juventusit, edhe pse barazimi 1-1 nuk pasqyron si duhet ecurinë e ndeshjes.
Në Amsterdam Arena, në një atmosferë të mrekullueshme, Ajaksi ishte superior gjatë gjithë takimit, duke luajtur një sfidë me ritëm shumë të lartë, sidomos në pjesën e dytë, ndërkohë që e goditi 18 herë portën e Juventusit, diçka e vështirë t’ua bësh kampionëve të Italisë.
Megjithatë, Ajaksi nuk ishte aq i saktë para porte dhe Juve me vetëm 1 goditje në kuadrat në 90 minuta shënoi.
Në minutën e 45-të një kros nga Kanselo e gjeti krejt të vetëm në zonë Ronaldon, i cili me kokë nuk fali, duke ndëshkuar Ajaksin e pafat.
Gjithsesi, pjesa e dytë nisi me holandezët në sulm dhe që në sekondat e para një gabim i mbrojtjes së Juves bëri që Neres të gjente hapësirë dhe të shënonte me një goditje perfekte.
Më pas, një furi sulmuesh drejt portës së Juves, zotërim topi që shkoi deri në 75% për Ajaksin, Juve i tëri në mbrojtje dhe vetëm në fund Douglas Kosta goditi shtyllën, por goli do ishte i tepërt.
Kthimi në Torino do jetë tjetër muzikë, ndoshta, pasi dihet forca e Juves, por 90 minutat e Amsterdamit treguan se Ajaksi ka një ekip që meriton duartrokitje.