Renato Arapi, mbrojtësi i rikthyer në Superiore verën e shkuar, këtë sezon do të mbajë shiritin e kapitenit te Teuta. Durrsaku është optimist para ndeshjes me Ventspils në Letoni (luhet nesër, ora 16:45) dhe thekson se atmosfera në ekip është mjaft e mirë. Ai analizon edhe rivalin, që kërkon të mos e nënvlerësojnë, por as ta mbivlerësojnë. Në fund ai analizon edhe merkaton, që e vlerëson me notën 8.
GJENDJA NË EKIP – “Atmosfera është shumë pozitive. Ato 2-3 javë që ishim në Bullgari na kanë ndihmuar shumë për të rregulluar gjendjen fizike, po ashtu edhe për të konsoliduar ekipin dhe afrimet e reja që të përshtaten më shumë me ekipin. Besoj se çdo gjë është gati dhe atmosfera është shumë pozitive”.
RIVALI – “Ishte kundërshtari më i mirë i mundshëm që mund të na bindte. Gjithë këto kohë e kemi studiuar kundërshtarin. Sigurisht që kanë 3-4 pika shumë të forta, por besoj se janë ekip i kalueshëm dhe për këtë do të mundohemi që të japim maksimumin. Ndeshja e parë jashtë është pozitive për ne, pasi një rezultat i mirë atje do të thotë se kemi më shumë shanse këtu. Kështu që të shpresojmë. Nuk duhet kurrsesi ta nënvlerësojmë apo ta mbivlerësojmë kundërshtarin. Do të bëjmë lojën tonë. Të shkojmë atje dhe të marrim një rezultat pozitiv, siç është barazimi, dhe ta tentojmë këtu kualifikimin”.
MERKATO – “Në tërësi jemi shumë të kënaqur, pasi janë afruar lojtarë cilësorë. Aq më tepër që edhe janë përshtatur me ekipin, pasi janë lojtarë që kanë eksperiencë. Besoj se do të na ndihmojnë shumë në të ardhmen. Kur ke dy sulmues që kanë cilësi dhe janë në formë, kjo të bën optimist. Aq më tepër Bushiç, i cili është adoptuar shumë më mirë. Po ashtu edhe gjendja fizike e tij është përmirësuar ndjeshëm.
Me golat që ka shënuar edhe besimi është rritur shumë. Edhe sulmuesi tjetër (Darko Nikaç) që ka ardhur është cilësor. Normalisht që rritja e konkurrencës i bën mirë ekipit. Unë notën do ia jepja 8-të, sepse edhe ndonjë përmirësim i mundshëm pas Kupave të Europës për t’u përforcuar më shumë nuk do të ishte keq”, ka deklaruar Arapi për Ora News.