Arsenali duhet të shpenzojë 70 milionë paund për të zëvendësuar të sakrifikuarin Aleksis Sançez verën tjetër, pasi kiliani do të largohet falas
Arsen Venger pranon që Arsenali po paguan një çmim të madh duke sakrifikuar për Aleksis Sançez, i cili do të jetë i lirë në fund të sezonit të gjejë një ekip të ri, në vend që ta shisnin lojtarin në merkaton verore. Venger vendosi të mos e shesë lojtarin në ditën e fundit të merkatos te rivalët e Mançester Sitit, pasi dështoi ne blerjen e yllit të Monakos, Tomas Lemar, i cili do ishte zëvendësuesi perfekt i lojtarit kilian. Menaxheri francez parashikon se do të duhen rreth 70 milionë paund merkaton tjetër verore për te zëvendësuar Aleksis Sançez, edhe pse oferta e tij 92 milionë paundshe per Thomas Lemar u pranua nga Monako në ditën e fundit te merkatos.
“Nëse nuk e shet Sançezin në vitin e tij të fundit të kontratës, sakrifikon 60 deri ne 70 milionë paund të ardhura, dhe po me të njëjtin çmim duhet të blesh dikë tjetër për ta zëvendësuar. Pra, është një sakrificë mjaft e madhe për ne. Prandaj, në një moment të caktuar gjithmonë duhet të marrësh një vendim për të sakrifikuar një apo dy lojtarë”, thotë Arsen Venger në një intervistë për Bein Sports. Lëvizja për Lemarin dështoi, pasi menaxheri pohoi se nuk kishte mjaftueshëm kohë për ta realizuar këtë transfertë, por gjithashtu dyshohet edhe se 21-vjeçari francez nuk donte të transferohej te një ekip jashtë Champions League, siç është Arsenali këtë sezon.
Venger pranoi gjithashtu edhe superinflacionin ne çmimet e lojtarëve dhe tha që ‘kjo dukuri është totalisht jashtë realitetit dhe të vërtetës’ dhe mori si shembull transferimin e Usman Dembele për te Barcelona në merkaton e verës pak pas transferimit të Nejmarit te PSG.
Menaxheri 67-vjeçar i Arsenalit tregoi se ka shumë lojtarë, ashtu si Aleksis Sançez, të cilët janë në fund të kontratës së tyre dhe vuajnë nga pasojat e këtij superinflacioni çmimesh transferimesh. Mesut Ozil është një nga yjet e Arsenalit, i cili është ne vitin e fundit të kontratës së tij dhe mes një udhëkryqi, të rinovojë kontratën me Arsenalin apo të nënshkruajë me një ekip tjetër në janar. Aleks Okslejd Çambërlejn ishte në një situatë të tillë, para se të shitej te Liverpuli për 35 milionë paund në ditën e fundit të merkatos.
“Janë 107 lojtarë në Angli, të cilët janë në vitin e fundit të kontratës. Ka një ndryshim në mënyrën sesi futbollistët e shohin karrierën e tyre në ditët e sotme për dy arsye. E para, çdo lojtar kërkon rritje rroge pasi parashikon inflacion në të ardhmen dhe e dyta është sepse çmimet e lojtarëve janë rritur shumë për lojtarë të mirë, por jo jetësorë për ekipin” dhe këtu Arsen merr shembullin e Dembele, i cili u shit 150 milionë euro nga 15 milionë vlerësim nga viti i kaluar. “Është e pamundur që një lojtar të shkojë nga 15 milionë në 150 milionë brenda një viti, nuk ka trajner të aftë ta bëjë këtë gjë, çfarëdo që të bëjë në stërvitje. Llogaritja midis investimit dhe asaj që merr mbrapsht ka ikur me kohë. E vetmja gjë qe ka ngelur është: E blen dot apo jo?”