Zinedin Zidan la bosh vendin në pankinën e Realit të Madridit dhe klubi nisi menjëherë nga puna për të gjetur pasuesin e tij. Por kërkimi ka marrë fund dhe tashmë janë shuar të gjitha dilemat. Gjigantët e Europës rikthejnë në stol një ish-trajner të tyre. Bëhet fjalë për Karlo Ançelotin. Është vetë tekniku italian që zyrtarizon veten në drejtimin e Realit, duke njoftuar përmes llogarisë së tij në rrjetin social “Twitter“ largimin nga Evertoni dhe kalimin në pankinën e “los blancos“.
“Unë do të doja të falënderoja Everton FC, lojtarët e mi dhe mbështetësit që më dhanë mundësinë për të menaxhuar këtë klub fantastik dhe historik. Vendosa të largohem pasi kam një sfidë të re me një ekip që ishte gjithmonë në zemrën time, Real Madrid“, njofton Karlo Ançeloti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/