Kristiano Ronaldo është një figurë që gjithnjë ka hapur debate sa i përket egos së tij. 5 herë fituesi i Topit të Artë nuk e pranon stolin dhe kjo karakteristikë e tij ka shtyrë një pjesë të tifozëve të mendojnë se interesi i tij personal është më i madh i ekipit. Madje disa prej tyre mendojnë se nuk i gëzohet suksesit të shokëve të skuadrës nëse nuk është vetë protagonistë.
Por Ronaldo ka vendosur t’i hedhë poshtë këto teori mbrëmjen e sotme. Pavarësisht faktit se është lënë në stol përballë Zvicrës, kjo nuk e ka ndaluar yllin portugez të festojë për golat e Kombëtares së tij. Lumturia në fytyrën e tij pas golit të Pepes flet qartë, teksa ka lënë stolin i buzëqeshur dhe ka shkuar të festojë së bashku me lojtarët e tjerë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/