Skënderbeu kërkon të sigurojë kupat e Europës dhe fillimisht synimi është të fitohet me Luftëtarin dhe më pas të shikohet se si do të përfundojnë ndeshjet e rivalëve. Sigurisht korçarët janë me sy e veshë edhe nga KAS-i, që duhet të vendosë mbi dënimin e UEFA-s për bardhekuqtë.
Së fundmi është raportuar se vendimi do të merret me 21 qershor, ndërkohë që në klubin korçar e mohojnë diçka të tillë. “Vendimin KAS-i do e japë para datës 17 qershor, pra para hedhjes së shortit dhe përcaktimit të skuadrave që do të marrin pjesë në kupat e Europës”, ky është qëndrimi i klubit korçar sipas RTSH Sport.
LOJTARËT NË PROVË – Skënderbeu po mendon për sezonin e ardhshëm dhe së fundmi në Korçë kanë mbërritur disa lojtarë afrikanë, të cilët do të vëzhgohen me kujdes nga trajneri Orges Shehi dhe stafi i tij. Nuk janë pak, por 8 futbollistë rreth moshës 20 vjeç. Tre prej tyre janë brazilianë, tre nga Nigeria dhe dy nga Mali. Nëse bindin, atëherë drejtuesit do t’u ofrojnë atyre kontrata afatgjata.