Veliu i bindur: Këtë vit do e shihni Flamurtarin!

Mbrojtësi vlonjate ka folur për ecurinë e fazës përgatitore në Mavrovë dhe për pritshmëritë në sezonin e ri futbollistik. Shiriti? Nuk ka koment

Elton Nika

Mbrojtësi vlonjat, Franc Veliu, ka arritur të realizojë një gol mjaft të bukur në miqësoren e fituar përballë Makedonija GP në Mavrovë. Dihet nga të gjithë që goditjet e dënimit janë një specialitet i për mbrojtësin e Flamurtarit, që në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres” nuk dëshiron shumë të komentojë çështjen e shiritit, pavarësisht faktit se është folur shumë gjatë kësaj periudhe, teksa mendon mbi të gjitha për fazën përgatitore dhe kampionatin. “Qëllimi kryesor yni mbetet padyshim faza përgatitore, që ka startuar mjaft mirë në Mavrovë dhe po vijon me ritme mjaft të kënaqshme”, shprehet fillimisht mbrojtësi i Flamurtarit. “Kemi zhvilluar dy ndeshje miqësore dhe kemi edhe një të tretë para kthimit në Vlorë, por duhet të kuptohet se kjo është një periudhë e rëndësishme për përgatitjet e skuadrës, me qëllimin që të jemi gati kur të startojë sezoni i ri. Është një periudhë e ngarkuar dhe kjo është e kuptueshme nga të gjithë, pasi të gjitha skuadrat janë duke zhvilluar fazën përgatitore në këtë moment, me ndonjë përjashtim si Skënderbeu që vijon përfaqësimin në kupat e Europës dhe padyshim meriton vlerësimin maksimal për atë çfarë po bën në Europë. Në ndeshjen e parë miqësore kemi fituar dhe në ndeshjen e dytë kemi humbur, por unë jam i mendimit se pavarësisht rezultatit, që ndoshta ka pak rëndësi në këto momente, qëllimi mbetet padyshim vetëm të arrijmë kushtet optimale. Ndaj edhe shërbejnë këto ndeshje miqësore. Ne kemi edhe një tjetër mini-fazë pas Mavrovës dhe ajo do të shërbejë për kolaudimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm futbollistik. Kushtet në të cilat po punojmë janë mjaft të mira dhe nuk duhet të harrojmë se jemi një skuadër që kemi pësuar ndryshime krahasuar me sezonin e kaluar dhe duhet koha e duhur që Flamurtari të jetë ai që duam dhe presim të gjithë, duke nisur nga drejtuesit e deri te tifozi më i thjeshtë”, thotë mbrojtësi vlonjat, që më pas flet edhe për objektivat e pritshmëritë për sezonin e ardhshëm. “Unë jam i mendimit se është bërë një merkato cilësore, me lojtarë që kanë luajtur në skuadra si Shkëndija e Tetovës, apo edhe të tjerë që e njohin mjaft mirë kampionatin shqiptar, ndërkohë kanë qëndruar edhe lojtarë shumë të rëndësishëm për Flamurtarin. Këtë sezon minimalisht duhet të arrijmë kupat e Europës, pasi Flamurtarit i mungon diçka e tillë, pastaj gjatë rrugës mund të shihet se si do të shkojë. Të jeni të bindur se ky Flamurtar do të jetë protagonist këtë sezon si në kampionat ashtu edhe në kupë dhe këtë e them me bindje. Grupi është mjaft cilësor dhe na takon ne futbollistëve që në fushë ta tregojmë diçka të tillë”, thotë Veliu. Me tej ai ka folur edhe për golin e shënuar në miqësore ndaj Makedonija GP dhe për shiritin e kapitenit. “Gola të tillë kanë më shumë rëndësi në ndeshjet zyrtare dhe shpresoj që këtë sezon të kemi shumë të tillë. Kampionati nis pas një muaji dhe kemi kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur sa më mirë dhe për të qenë gati për ndeshjen e parë. Shiriti? Ka kohë për të folur për një çështje të tillë, por unë e kam thënë, janë dy-tre zëra kundër. Gjithsesi tani është koha më shumë se gjithçka të mendojmë për t’u përgatitur, për të kryer sa më mirë këtë fazë përgatitore”, shprehet mbrojtësi vlonjat i Flamurtarit, që me shumë mundësi do të jetë kapiteni i kuqezinjve sezonin e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online