Marko Van Basten i ka dhënë fund një eksperience 2-vjeçare si kreu i sektorit të zhvillimit teknik në FIFA. Holandezi është dorëhequr për t’iu përkushtuar më shumë jetës me familjen në Amsterdam.
Van Basten ishte personi përgjegjës për implementimin e rregullave dhe teknologjive të reja në sportin e futbollit. Në letrën e lamtumirës, 53-vjeçari tha se përdorimi i teknologjisë së sistemit “VAR” në Botërorin “Rusi 2018” ishte një ndër sukseset e tij më të mëdha.
Një tjetër rregull i iniciuar nga holandezi ishte dhe ai i shtimit të një zëvendësimi të katër në “extra-time”, ndërkohë një ide e Van Basten që ngeli pezull ishte dhe futja për herë të parë e një kartoni portokalli, një karton i ndërmjetëm midis të verdhit dhe të kuqit, që do të pezullonte lojtarët për disa minuta jashtë fushave të lojës si në sportin e Hokejit.