Valdet Rama gradualisht po e merr veten. Sulmuesi anësor shënoi sërish gol me fanellën e Kukësit dhe normalisht që është i gëzuar. Gjithsesi për të kanë më shumë rëndësi fitoret e ekipit. I pyetur nëse e kishte pritur të shënonte dy gola në dy ndeshje, ai tha: “Besoj se kam punuar për këtë gjë. Jam i lumtur së pari për fitoren. Ishte ndeshje e rëndësishme. Të shënosh gol je i lumtur, por jam gjithashtu i lumtur që shënuan edhe Limaj e Dzaria. Ajo që duhet të jetë e rëndësishme është se kemi fituar si ekip. Mundohemi të fitojmë së bashku”.
Rama nuk mund të thotë se në sa për qind të formës ka arritur, por thekson se gradualisht dhe duke u stërvitur dhe luajtur, ai do ta kapë shpejt maksimumin. “Ndeshjet e para kam luajtur pak, e kemi rritur ritmin. Do vazhdoj të stërvitem dhe për çdo ndeshje që bëj rritem. Besoj se do të bëhem edhe më mirë”, tha sulmuesi anësor i Kukësit.
Superiorja vlerësohet nga Rama, që ka provuar të luajë në Spanjë e Gjermani: “E kam thënë edhe më parë, këtu ka lojtarë që më pëlqejnë si luajnë. Janë lojtarë fizikisht të mirë dhe të gjithë janë të shpejtë. Nuk është kampionat i lehtë për të luajtur. Unë jap maksimumin tim dhe mundohem të bëj lojën time. Nuk ka rëndësi është Spanjë, Gjermani apo këtu. Unë mundohem të bëj lojën time dhe të ndihmoj ekipin”.
Numri 99 i Kukësit nuk e fsheh dëshirën për t’i shënuar edhe Skënderbeut javën e ardhshme. “Do punoj gjatë javës sa që të marr ngarkesën e duhur dhe normalisht do mundohem sërish të shënoj”, shtoi Rama, i cili në fund flet edhe për garën për titull.
“Ne shohim renditjen tonë. Partizani la dy pikë, por ata po luajnë mirë dhe janë në vend të parë. Në do shohim punët tona dhe do mundohemi të marrim sa më shumë pikë që mundemi”, përfundoi Rama deklaratën e tij për mediat.