Myrto Uzuni rikthehet në Berat, por jo për të luajtur me Tomorin. Bashkia Berat e kishte programuar prej kohësh nderimin e 23-vjeçarit si “Njeriu i vitit”, së bashku me dy personazhe të tjera të qytetit të “një mbi një dritareve”. Simon Vrusho (ka hapur një muze për hebrenjtë) dhe Lejla Haxhiç (restauruese e shtëpive të vjetra) boshnjake ishin ata që u nderuan krah futbollistit të Lokomotiva Zagreb.
Uzuni e mori çmimin “Njeriu i vitit” me motivacionin e mëposhtëm: “Talent, përkushtim, shumë punë dhe kokëulur. Myrto Uzuni, një shembull për të rinjtë se si mund të ecet përpara. Rezultatet flasin vetë dhe janë të shumtë fëmijët që duan të ecin në gjurmët e tij. Gjurmët e tij i kanë fillesat nga Berati dhe Myrto me gjithçka ka arritur ka lartësuar edhe emrin e qytetit tonë, ndaj edhe nderimi me çmimin e “Njeriu i Vitit” është detyrim dhe vlerësim për të, por edhe një motivim për të rinjtë e tjerë”.
Ndërkohë faqja e Tomorit ka gjetur mundësinë të bëjë edhe shaka, teksa njofton rikthimin e Uzunit për shumën e 420 mijë eurove. Një dhuratë e shtrenjtë për fundvit. “Tomori hap merkato duke rikthyer Myrto Uzuni në Berat për 420 mijë euro”.