Mesfushori i Flamurtarit: Kemi treguar forcën ndaj një ekipi të fortë, por ende nuk kemi bërë asgjë. Ndeshje impenjuese në Kukës
Elton Nika
Dy ndeshje dhe dy fitore 1-0 ndaj Partizanit, tri pikë shumë të rëndësishme në kampionat dhe një hap përpara drejt kualifikimit në kupë. Vlonjatët kanë ditur që në harkun kohor të pak ditëve ta mundin dy herë një kundërshtar të fortë. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro ka vuajtur për të shënuar në të dyja këto ndeshje, që i ka fituar me rezultat minimal, por pozitiv është fakti që nuk ka pësuar, çka tregon se pjesa prapa e Flamurtarit funksionon si duhet.
USEINI – Mesfushori Muhamed Useini është nga ata lojtarë, i cili e ndihmon shumë skuadrën në të dyja fazat e lojës, sidomos për t’u mbrojtur, pasi është i përballon përplasjet. Ai vlerëson maksimalisht dy fitoret me të kuqtë dhe beson se javë pas jave Flamurtari do të rritet në nivel loje. Nuk ngutet për objektivat, edhe pse është i bindur në forcën e skuadrës së tij: “Ka shumë rëndësi që morëm tri pikët në kampionat. Partizani ka një rreshtim mjaft të mirë në fushë, është i mbledhur. Lojtarët e këtij ekipi qëndrojnë afër njëri-tjetrin dhe është shumë e vështirë ta çash. Kundërsulmi është arma e tyre me e fortë. Kishte dy raste penalltish në ndeshjen e kampionatit dhe me në fund na e dhanë një të tillë dhe e fituam ndeshjen. Shumë penallti nuk na i kanë dhënë. Ne ndërkohë i mbajmë duart pas në çdo ndeshje, pasi kemi frikën e ndëshkimit. Edhe kupa ka rëndësi dhe dëshirojmë që në çdo ndeshje të marrim maksimumin. Ndaj Partizanit është e vështirë dhe fakti që kemi fituar dy herë tregon forcën e skuadrës tonë në të dy kompeticionet. Kupa apo kampionati? Objektiv i vetëm është të respektojmë fanellën, të japim maksimumin dhe këtë gjë po e bëjmë. Ka edhe shumë ndeshje të tjera. Asgjë nuk kemi bërë ende, ka shumë punë. Duhet të jemi kokulur dhe të shikojmë ndeshjen e radhës. Të gjitha ndeshjet kërkojnë impenjim. Në Shqipëri ka skuadra të forta dhe luhet i fortë”, – thekson Useini.
KUKËSI – Në Kukës nuk kam shkuar ende, nuk kam luajtur ndonjëherë atje, do ta provoj të dielën. Ndeshemi me një skuadër të fortë dhe do të jetë një ndeshje mjaft impenjuese. Patjetër që është e vështirë, pasi luajmë kundër kampionëve aktualë. Ata kishin probleme në pjesën e parë por në të dytën janë rritur me rezultat dhe me lojë. Do të shkojmë në Kukës për fitore pasi ne këtë nuk vit ka ekip që të na tremb. Futbolli shqiptar me atë në Maqedoni është pak më lart. Në Maqedoni dy skuadra janë të mira, Shkëndija dhe Vardari, ndërsa në Shqipëri ka shumë dhe kampionati është më i ekuilibruar. Këtu nuk ka ndeshje të lehta”, – ka thënë më tej mesfushori i Flamurtarit për ndeshjen e radhës dhe ndryshimin mes futbollit shqiptar dhe atij maqedonas.