Luftëtari lë pas kupën, i duhet fitorja në Lushnjë

Gjirokastritët ishin dobët në Laç, por janë të bindur se  rezultati u vendos nga gjykimi, që ishte hapur kundër tyre

Gëzim Beqiri

Pas asaj shuplake të marrë në Laç, Luftëtari ka punuar në heshtje dje dhe futbollistët janë stërvitur bashkë, pa u ndarë në grupe. Rrugëtimi i gjirokastritëve në Kupën e Shqipërisë duket se do të mbyllet në çerekfinale, sepse humbja 3-0 në Laç vështirë se mund të përmbyset më 14 shkurt. Tani skuadrës së trajnerit Lika i duhet të përqendrohet në kampionat, ku të dielën luan në Lushnjë një takim përcaktues për largimin nga vendet e fundit. Luftëtari do të kërkojë fitoren e 5-të radhazi dhe shanset për t’ia arritur janë. Sipas trajnerit Hasan Lika, humbja në Laç, përveç faktorëve të jashtëm, erdhi edhe nga loja jo e mirë e skuadrës, ndaj dhe futbollistët duhet të reflektojnë për gabimet e bëra në atë ndeshje. Ai ka theksuar se fitorja në Lushnjë ka shumë rëndësi, pasi më pas Luftëtari luan dy transferta të tjera me Teutën dhe Laçin. Para fillimit të stërvitjes së djeshme, trajneri ka biseduar për më shumë se 20 minuta me të tijtë në mesfushë. Kuptohet, është folur për mangësitë e ndeshjes së fundit, por më shumë për mobilizimin që kërkon transferta e Lushnjës. Gjasat janë që edhe në këtë ndeshje të mungojnë Rapa dhe Lamçe të dëmtuar. Kristal Abazaj, edhe pse nuk ishte me grupin dje për një dëmtim të lehtë, do të jetë i gatshëm ditët në vazhdim.

GJYKIMI – “Ndaj Luftëtarit në Laç pati dhunë para dhe gjatë ndeshjes. Ajo që shkon për keq është se kjo dhunë ishte e dirigjuar dhe e drejtuar nga gjyqtari Olsi Sokoli, i cili u shtohet arbitrave që “masakrojnë” Luftëtarin në këto dy vjet. Olsi u bë “Sokol” në Laç dhe përderisa veproi aq hapur, e ka një mbështetje. Të shohim sa do të dënohet ky gjyqtar nga FSHF-ja. Aq sa dënuan Blerim Zirin, kur na masakroi me Teutën në Gjirokastër. Arbitrat nuk e njohin rregulloren”. Kjo është në përgjithësi përmbajtja e komenteve në rrjetet sociale për atë që po i ndodh Luftëtarit. Drejtuesit e klubit jugor nuk kanë reaguar, por tifozë të shumtë kanë shfaqur shqetësimin e tyre, madje disa ishin grumbulluar në fushën ku ekipi stërvitet. Këtë sezon Luftëtari ka zhvilluar 21 ndeshje dhe ende nuk ka fituar një penallti, aq më shumë që disa kanë qenë të qarta dhe vetëm në Laç kishin dy raste. Gjyqtarët penalizojnë Luftëtarin dhe vetë shpëtojnë. Dhe nuk janë gabime njerëzore, kur në një ndeshje gabohet në 5-6 raste dhe vetëm ndaj një ekipi. Trajneri Lika pranoi se ekipi nuk luajti mirë, sidomos në pjesën e parë, por pohon se rezultatin e vendosi arbitri, i cili lejoi lojë shumë të rëndë kundër Luftëtarit. “U detyrova tu thosha lojtarëve të ruheshin dhe ishte kjo arsyeja pse nxora nga loja Abazajn, sepse futbollistët nuk i kam vetëm për një ndeshje”, – tha trajneri Lika.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online