Useini i bindur: E kthejmë në Flamurtarin kupat e Europës

0

Mesfushori me shumë përvojë ka bindje se duke vlerësuar çdo ndeshje dhe çdo kundërshtar, skuadra vlonjate do ta arrijë objektivin minimal

Elton Nika

Nga kampionati maqedonas kanë ardhur te Flamurtari këtë verë disa lojtarë, siç janë Pollozhani, Siljanovski, Useini dhe Zhufo. Mesfushori Muhamedin Useini, i cili erdhi nga Renova, konsiderohet një nga afrimet më të goditura dhe pritet të mbajë një peshë të rëndësishme në repartin ku bën pjesë. Ai shpreson shumë të jetë protagonist me ekipin vlonjat sezonin e ri, duke ndikuar në objektivat e Flamurtarit, ekip që të gjithë e shohin në Kupat e Europës. Gjatë miqësoreve të zhvilluara lojtari është aktivizuar gjithmonë titullar, madje ka shënuar edhe dy gola. “Ajo që kërkojmë të gjithë është pa dyshim Europa, – shprehet mesfushor. – Klubi nuk na ka vënë nën presion, por e dimë sa e rëndësishme është që Flamurtari të kthehet në Europë, pasi mungon prej tre sezonesh. Kjo është detyra jonë parësore për sezonin e ri. Duhet të jemi seriozë dhe me “këmbë në tokë”, të shohim çdo kundërshtar pa frikë, pa nënvlerësuar askënd dhe pa e mbivlerësuar. Flamurtari është një emër që ngjall respekt, ndaj dhe të gjithë kundërshtarët luajnë përherë mjaft mirë ndaj tij. Jam i bindur se ky grup do ta çojë aty ku e meriton një skuadër si Flamurtari. Zgjedhja për të ardhur në Vlorë nuk ishte e vështirë, pasi kam ardhur në një skuadër me emër dhe traditë në futbollin shqiptar’, – thotë Useini, i cili vlerëson punën e stafit teknik dhe forcën e grupit.

STAFI DHE GRUPI – “Stafi teknik, me në krye trajnerin Duro, është mjaft cilësor. Po ashtu, edhe lojtarët janë të gjithë profesionistë, me kualitet dhe përvojë, ndaj besoj se do të kemi një Flamurtar kompetitiv. Duhet të flasë vetëm fusha e blertë dhe gjatë fazës përgatitore po bëjmë gjithçka që të jemi në nivelin e duhur. Nuk kanë rëndësi ndeshjet miqësore, nëse i fiton apo humbet, rëndësi kanë ndeshjet zyrtare. Aty duhet të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Të shohim, por mendoj se ky Flamurtar shkon në Europë”, – përfundon mesfushori i Flamurtarit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.