Tekniku kuqeblu apel të tijve: Ju pres një muaj për të bërë zgjedhjen tuaj, më pas çdo gjë mbyllet. Skuadrën e dua të plotë në gjatë fazës përgatitore
Gaspër Marku
Në ndryshim nga herët e tjera, në këtë prag sezoni Vllaznia duket se do të jetë më e prerë në drejtim të anës organizative të skuadrës. Fjala është kryesisht për kontingjentin, që Vllaznia do të ketë në dispozicion për të përballuar kampionatit, ku këtë radhë, tekniku Cungu, të paktën muajin e fundit të fazës përgatitore kërkon ta ketë skuadrën të kompletuar me lojtarët e duhur. Për këtë, krahas interesimit për lojtarët e merkatos, ku vëmendja dhe përqendrimi pritet të jetë mjaft serioz, me të njëjtin seriozitet pritet të zhvillohen ngjarjet edhe brenda për brenda grupit aktual të futbollistëve shkodranë. Nxitje për këtë çështje janë bërë komentet e ditëve të fundit nga disa futbollistë titullarë të formacionit të kaluar për ndonjë largim të mundshëm jashtë vendit. Më konkretisht trajneri u ka kërkuar futbollistëve që brenda harkut një mujor të vendosin, nëse do të qëndrojnë tek Vllaznia, apo do të largohen jashtë vendit.
“Mua nuk do të më pëlqente të kishte largime. Megjithatë, jam informuar nga individë të caktuar, si dhe nëpërmjet gazetave që sportistë të ekipit tonë kanë preferuar, ose më saktë kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga Vllaznia, gjithmonë me dëshirën e mirë për të luajtur futboll në kampionatet e tjera jashtë Shqipërisë. Unë nuk bëj pjesë në ata persona, apo ato trajnerë që pengojnë jetën dhe karrierën e një sportisti kur bëhet fjalë për të shkuar të luajë në nivele shumë më të larta në perëndim. Natyrshëm e kemi diskutuar edhe me drejtuesit e klubit, duke u bërë thirrje sportistëve që të bëjnë të pranishme në klub kërkesat e tyre dhe deri ditën që Vllaznia të niset në fazën përgatitore jashtë vendit, duhet të jenë gjërat e detajuara në mënyrë përfundimtare. Nuk mund të pranojmë që një javë pa filluar kampionati të thuash se ika dhe të lësh vendin bosh, sepse në këtë mënyrë i bëjmë një dëm shumë të madh ekipit të Vllaznisë”, shprehet tekniku Cungu.
Në të tilla kushte, ai thekson se për këto sportistë që kanë dëshirë, apo kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga ekipi, afati për një gjë të tillë është pothuajse një mujor. Gjatë kësaj periudhe ata mund t’ua bëjnë prezent drejtuesve ofertat dhe mundësitë që kanë dhe t’i vendosin me to këto probleme. “Unë jam trajner, dëshira është për t’i pasur në ekip dhe jo për të pasur largime. Ne kemi nevojë për të sjellë lojtarë cilësorë, jo për të hequr lojtarë. Nuk kemi kaq luks te Vllaznia. Megjithatë, thashë nuk jam unë ai që vendos në këtë drejtim, siç nuk jam ai që dëshiroj të mbaj njerëz me zor. Nuk ka asnjë vlerë për të mbajtur lojtarë me zor. Kush ka dëshirë për të kontribuar tek Vllaznia është i mirëseardhur dhe unë e pres me shumë kënaqësi për të kontribuuar e tyre”, sqaron më tej Cungu. Ndërkohë, nga sa mësohet, një gjë të tillë ia ka bërë të ditur zyrtarisht futbollistëve edhe vetë administratori i klubit Astrit Gjyrezi, i cili nga ana e tij i ka kërkuar gjithsecilit prej atyre që kanë ndonjë projekt për t’u transferuar në ndonjë skuadër tjetër jashtë vendit, të vendosin detyrimisht brenda afatit njëmujor të përcaktuar nga ana e klubit dhe e stafit teknik, sepse në rast të kundërt, raportet mes tyre mund të ndryshojnë.
OBJEKTIVI – Për trajnerin Armando Cungu, objektivi që do të ketë Vllaznia për sezonin e ri futbollistik do të deklarohet pasi skuadra të kthehet nga faza përgatitore. “Nuk ka asnjë trajner në botë që jep objektiv pa e ditur se çfarë ka përpara. Objektivin do ta marr mbi shpinë pas kthimit nga faza përgatitore, pak ditë pa filluar kampionati. Pasi të kthehem do të them: Kjo është Vllaznia. Këto kanë qenë afrimet. Me këtë Vllazni, me këtë mundësi që kemi, ne mund të shkojmë deri këtu, në të kundërt largohem, nuk ka asnjë lloj problemi në këtë mes”, shprehet Cungu, që më tej shton: “Nuk marr objektiva, siç kanë marrë vjet individë të caktuar anonim që Vllaznia është për Kupat e Europës. Në një kohë që për të dalë në Kupat e Europës, duhet të ketë investime dhe kualitete të mëdha, apo organikë tepër më të madhe, por edhe interesim shumë më të madh, sepse jo çdo gjë është edhe leku. Mund të harxhosh shuma të mëdha në sezon, por nëse nuk ke interesimin maksimal për t’i qëndruar mbi kokë ekipit, natyrshëm që edhe ato lekë shkojnë kot”, përfundoi trajneri shkodran Armando Cungu.