Ultimatumi i Cungut: Dua sulmuesin që më premtuat

Skuadra ka filluar të marrë formën e duhur, por trajneri kërkon edhe një tjetër sulmues. Sindrit Guri dhe një futbollist emri i të cilit mbahet i fshehtë janë shumë pranë kuqebluve

Gaspër MARKU

Ditët përgatitore malazeze për kuqeblu mbyllen sot, por kuqeblutë presin një sulmues të mirëfilltë. Për këtë gjatë periudhës përgatitore në skuadër mbërritën disa të tillë për provë, qoftë shqiptarë, por edhe të huaj, por asnjëri prej tyre nuk i plotësonte kushtet e kërkuara nga stafi teknik. Në listën e tyre, drejtuesit vendosën të mbanin vetëm ganezin Çarls Atsina, futbollist që për aq sa dha në ditët e testimit dha shenja premtuese, por që gjithsesi efektiviteti i tij do të shikohet më qartë në garën e kampionatit. Në skuadër momentalisht ka edhe të rinj të tjerë, sidomos Pusi që lufton për një vend në formacion, por për momentin nuk shikohet të jetë gati të marrë përsipër një përgjegjësi të tillë. Kështu, që në krah të Atsines drejtuesit po kërkojnë të gjejnë edhe një tjetër sulmues me peshë si dhe me përvojën e duhur të minutave në fushën e lojës, i cili të kontribuojë në zgjidhjen e situatave përpara portës kundërshtare. Këtë, ka kohë që e ka shprehur haptazi tekniku Cungu, por në të njëjtën kohë edhe vet drejtuesit më të lartë të klubit të futbollit Vllaznia janë të ndërgjegjshëm për një gjë të tillë. Nga sa bëhet e ditur drejtuesit e klubit i kanë premtuar Cungut se deri në limitin e mbylljes së merkatos më 31 gusht do të arrijnë të gjejnë emrin e duhur për t’ia vënë në dispozicion. Dy ditët e fundit në kenë ka dalë edhe emri i shkodranit Sindrit Guri, që krahas të tjerave ka qenë edhe një dëshirë e tij për t’u rikthyer në qytetin e lindjes. Hapësirat dhe minutat e pakta që ka pasur në formacionin e Kukësit kanë bërë që Guri të kërkojë largimin nga kjo skuadër, dhe mes alternativave të tjera, rikthimi në Shkodër edhe i kolegëve të tij, Hasani-Lika-Vucaj ka bërë që Guri ta pëlqejë një gjë të tillë. Drejtuesit e klubit e kanë parë me përparësi një lëvizje të tillë, por që gjithsesi për t’u konkretizuar ajo nuk është e lehtë. Nga sa bëhet e ditur, Vllaznia është e gatshme të paguajë për “veshjen kuqeblu” të Gurit në formë huazimi, por jo në ato shifra stratosferike që ka vendosur presidenti Gjici për t’i dhënë mundësinë e aktivizimit në skuadrat e tjera. krahas pistës “Guri” që për hir të së vërtetës nuk është se ka ndonjë përqindje të madhe realizimi, kuqeblutë janë përqendruar edhe tek një emër tjetër, identitetin e të cilit për momentin nuk kanë dëshira të ekspozojnë. Bisedimet me futbollistin në fjalë kryer dhe në dy ditët e fundit të merkatos pritet të bëhen edhe lëvizjet e duhura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *