Murinjo ka marrë sot humbjen më të thellë në karrierën e tij, 6-1. Por ajo që dhemb më tepër është fakti se këtë disfatë ia shkakton një ekip pak i njohur në Europë, Bodo/Glimt. Tekniku portugez pas ndeshjes me Juventusit uli vlerat e Kumbullës dhe mbrojtësve të tjerë që ka në pankinë, ndërsa sot gjen rastin ti fajësojë së bashku me të gjithë lojtarët e tjerë pas turpërimit në Norvegji.
“Përgjegjësia është e imja, e bëra me qëllim të mirë, të dyfishtë, për t’u dhënë mundësi njerëzve që punojnë shumë, por nuk luajnë shumë dhe për t’u dhënë mundësi të pushojnë atyre që luajnë gjithmonë. Humbëm kundër një ekipi që ka më shumë cilësi se ne. Mes formacionit që nisi ndeshjen dhe atij të rregullt të Bodos, ky i fundit ka më shumë cilësi.
Nëse do të mund të luaja gjithmonë me të njëjtët lojtarë do ta bëja, por mendoj se është e rrezikshme sepse kemi një ndryshim të konsiderueshëm në cilësi midis një grupi lojtarësh dhe një grupi tjetër. I dija caqet e disa lojtarëve, nuk është diçka e re për mua, por padyshim që prisja një përgjigje më të mirë. Por vendimi është i imi, ndaj përgjegjësia është e imja.
Unë kam qenë i sinqertë me lojtarët, nuk mund të jem i sinqertë me ju, por në intimitetin e familjes, po. Është një familje e fortë nga pikëpamja e miqësisë dhe ndjeshmërisë. Por e di që kemi kufij, një gjë është një ekip me 12-13 lojtarë, një tjetër janë të tjerat. Tani një gjë e mirë është se askush nuk do të më pyesë pse luaj gjithmonë me të njëjtët lojtarë”, ka thënë Zhoze Murinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/