Kualifikueset historike të Kupës së Botës 2018 për Kosovën nuk kanë shkuar aspak ashtu si mendohej e shpresohej. Pas barazimit të bukur në Finlandë, vetëm humbje, lojë zhgënjyese, gabime pa fund dhe polemika, me shumë lojtarë që kanë “varur turinjtë” për mungesën e hapësirës.
Tani edhe populli i Kosovës është lodhur dhe u pa qartë që ndaj Turqisë kishin ardhur në Shkodër shumë pak tifozë në krahasim me ndeshjet e para, ndërsa pas ndeshjes plasën akuzat ndaj trajnerit Bunjaki, nga tifozët, por edhe superstari i kampionatit australian, Besart Berisha, i zhgënjyer që nuk luajti.
Kjo ka bërë që sot kapiteni Samir Ujkani të publikojë një letër të hapur drejtuar popullit të Kosovës, duke kërkuar kohë, durim dhe unitet, për ëndrrën e madhe.
I dashur popull i Kosovës,
Nuk po u drejtohem për të gjetur arsyetime, as për të larguar përgjegjësitë e secilit prej nesh, por për të treguar se më shumë se çdo kush tjetër jemi ne futbollistët ata që e ndjejmë peshën e këtyre humbjeve, sepse ndjejmë shumë përgjegjësi kur veshim atë fanellë, që për ne është pjesë e lëkurës, është identiteti ynë. Ne jemi këtu falë punës së palodhshme të federatës e kryesisë së saj, falë selektorit dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe fal insistimit të njerëzve që ia donë të mirën Kosovës. Jemi këtu për të respektuar popullin prej të cilit vijmë, jemi këtu, sepse Kosovën e ndjejmë më shumë se çdo gjë tjetër, jemi këtu sepse të bashkuar emrin e Kosovës do ta ngjitim shumë lartë.
Jemi këtu sepse kemi një staf udhëheqës në federatë që ka triumfuar mbi çdo sfidë që i është paraqitur dhe ka arritur ta anëtarësoj Kosovën në FIFA, ndonëse shteti nuk e kishte e nuk e ka akoma as edhe një stadium për t’ i zhvilluar ndeshjet tona në Kosovë, por ata ia dolën të na fusin në këtë nivel.
Të gjithë së bashku, duke filluar nga Kryetari i Federatës, Selektori dhe të gjithë futbollistët kemi derdhur shumë djersë e mund për të vu themelet e këtij ekipi, të cilin jemi gati ta mbrojmë me çdo kusht.
I fortë nuk është ai që nuk rrëzohet, por ai që bie e ngrihet përsëri. Vetëm të bashkuar mund të ringrihemi, na lejoni t’ ia arrijmë këtij qëllim, sepse zemra na është djegur rrugëve të Evropës kur kemi besuar te Kosova më shumë se askush tjetër, aso kohe këtë nivel vetëm e kemi ëndërruar, na lejoni që tash të gjithë së bashku ta realizojmë këtë ëndërr.
Në emër të grupit të futbollistëve,
Samir Ujkani, kapiten