Uilliam Kordeiro “zbarkoi” në Kukësi si një mbrojtës i majtë, por në atë pozicion ai zhvilloi vetëm një ndeshje. Braziliani pa diskutim është zbulimi i verilindorëve, kjo për faktin se jo vetëm që mund të luajë si një sulmues, anësor i majtë, apo dhe si një mbrojtës i po kësja linje, por ka dhënë kontributin e tij në 4 nga 9 golat që Kukësi ka shënuar, duke qenë autori i dy golave, si dhe duke dhënë edhe dy asiste.
Në një prononcim për “Supersport” Uilliam tregon se te Kukësi gjithçka po shkon mirë. 26-vjeçari tregon dhe objektivat që ai ka, duke nisur që nga sfida me Laçin dhe deri tek pretendimet për të dalë kampion. në lidhje me pozicionin e tij të preferuar, tashmë ai e ndjen veten një lojtar të repartit ofensiv, ndonëse në të shkuarën ka qenë gjithnjë një mbrojtës i djathtë.
AVENTURA TE KUKËSI – “Është hera e parë që provoj të luaj jashtë vendit tim dhe mund të them se deri tani jam i lumtur me përvojën time tek Kukësi. Ndeshje pas ndeshje e kam kuptuar akoma më shumë futbollin shqiptar dhe ndihem mirë. Në këtë fazë të parë kam vërejtur më shumë aspekte pozitive sesa negative tek skuadra. Humbëm dy ndeshje kundër dy skuadrave të mëdha si Partizani e Skënderbeu, tani e kemi marrë veten dhe mendoj që në tërësi ishte një fazë e parë e mire”.
POZICIONI – “Ndihem shumë mirë në pozicionin e ri. Në Brazil kam luajtur gjithnjë si mbrojtës i djathtë, pavarësisht se më ka pëlqyer gjithnjë loja ofensive. Kuptohet, m’u desh pak kohë të përshtatesha, gjithsesi më pëlqen shumë roli aktual i anësorit të majtë dhe nuk kam dëshirë të kthehem në pozicionin tim të mëparshëm. Nuk ka rëndësi se kush shënon rëndësi ka fitorja e ekipit. Një futbollist ndihet mirë kur arrin të ndihmojë ekipin duke gjetur golin, por e përsëris rëndësi ka suksesi i skuadrës”.
NDESHJA ME LAÇIN – “Ndaj Laçit do të jetë një ndeshje e vështirë, e njoh kundërshtarin nga ndeshja e parë. Ata janë lart në renditje dhe do të jetë një ndeshje mjaft e fortë, Laçi gjithashtu ka dëshirë të ecë shumë përpara,do të jetë e vështirë por pa diskutim që ne do të kërkojmë 3 pikët.”
OBJEKTIVAT – “Jam një lojtar që dua gjithnjë të fitoj dhe këtë vit dua të shpallem kampion. Kam ardhur në një skuadër të mirë dhe natyrisht nëse fitojmë titullin do të luajmë edhe në Europë kështu që synimi im është të shpallem kampion me Kukësin”.