UEFA ka vendosur të shtyjë sërish vendimin për Milanin, pasi dhoma e hetimit nuk ka formuluar asnjë raport në lidhje me atë që do të ndodhë sa i përket dënimit ose jo të kuqezinjve, edhe pse thuajse të gjitha mediet në Itali janë të sigurta se përjashtimi minimal 1 vit dhe 30 mln eurot janë thuajse “të pashmangshme”.
Ndërsa, mund të ketë përjashtim për 2 vite, por me kusht, nëse nuk respektohen kufinjtë financiare, si ulja e rrogave dhe sidomos përmirësimi i bilancit. E gjitha kjo, teksa në sfond vazhdon që të luhet një tjetër “ndeshje”, ajo e pronarit të ri të mundshëm amerikan.
Sipas asaj që ka referuar “Radiocor”, Mediacom Communication e Roko Komisos (pronari i Nju Jork Kozmosit) është gati të mbyllë investimin për të blerë Milanin, por pritet përgjigjia e Jonghong Li. Konfirmimi vjen nga Radiocor Plus nga një burim pranë italoamerikanit: “Jemi aty, jemi gati. Të presim.
Nuk varet më nga ne”. Oferta duhet të jetë 500 mln euro për të gjithë paketën, teksa Li kërkon 700 mln euro, për të mos dalë me humbje. Ndërkohë, Elliott qëndron në dritare dhe pret të dijë se çfarë do të ndodhë, pasi ka dërguar bonon e 35 mln eurove, që duhen shlyrë në fund të kësaj jave nga Mister Li.