Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA i ka besuar Kosovës organizimin e ndeshjeve para-eliminatore të Ligës së Kampionëve. Federata e Kosovës kishte aplikuar për të marrë përsipër organizimin e këtij turi, për t’i lehtësuar punët skuadrës kampione vendase, që të ketë më pak shpenzime dhe të arrijë rezultate me të mira, duke pasur dhe mbështetjen e vendasve.
Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe “Adem Jashari” në Mitrovicë do të organizojnë tri ndeshje, ato gjysmëfinale dhe atë finale të para-eliminatoreve. Kampionia e Kosovës, e San Marinos, e Andorrës dhe Gjibraltarit do të marrin pjesë në këtë tur.
Sezonin e shkuar, organizimin e këtij turi e mori përsipër Gjibraltari, ku skuadra e Dritës bëri paraqitje shumë të mira dhe arriti të kualifikohej, për t’u eliminuar më pas nga skuadra e njohur suedeze, Malmo.