Kampionia e Shqipërisë, Tirana Futsal ka luajtur këtë të enjte ndeshjen e parë në Grupin H të fazës para-eliminatore të UEFA Futsal Champions League 2023/24. Klubi bardheblu e ka nisur aventurën europiane me fitore, pasi mposhti me rezultatin 7-3 skuadrën nga Irlanda e Veriut, Sparta Belfast, sfidë që u luajt në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të kryeqytetit.
Tirana e nis mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh që në minutën e dytë me një gjuajtje të bukur të Melos Kelmendit nga jashtë zone. Bardheblutë nuk ndalen dhe në minutën e 8-të dyfishojnë avantazhin me golin e Jetmir Gashit.
Shumë shpejt vetëm pas një minute Tirana gjen edhe golin e tretë, pasi Mejzini futet në zonë nga e majta dhe pason në qendër të zonës, aty ku irlandezo-veriori Jordan Wilson ndërhyn, duke shkaktuar autogol. Gjithsesi, miqtë reagojnë dhe gjejnë golin e parë me anë të Ryan Mcmenemy. Me rezultatin 3-1 mbyllet pjesa e parë, ndërsa me të nisur pjesa e dytë Sparta Belfast gjen golin e dytë me anë të Josh Lowry, i cili realizon me një gjuajtje të saktë, duke çuar shifrat në 3-2.
Gjithsesi, Tirana luan më mirë dhe më minutën e 27-të është Mejzini, i cili pas një aksioni individual gjen golin dhe fikson shifrat në 4-2. Bardheblutë marrin zemër dhe një minutë më vonë gjejnë golin e pestë me Fatlum Pishtanin. Sparta Belfast arrin të shënoj edhe golin e tretë me John Gibson, por Tirana realizon edhe dy herë të tjera me Artan Jonuzin dhe Melos Kelmendin për të regjistruar rezultatin final 7-3.
Ndërkaq, ndeshja e parë e grupit KMF Radnik Bijeljina – Sparta Belfast, që u luajt një ditë më parë, përfundoi me fitoren 16-2 në favor të ekipit boshnjak.
Siç është bërë e ditur skuadra Cefn Druids nga Uellsi është tërhequr nga gara dhe nuk do të marrë pjesë në këtë turne, duke bërë që Grupi H të mbetet me vetëm tre ekipe dhe në total do të luhen tre ndeshje.
Sfida e tretë që do të vendosë fatet e grupit do të luhet më datë 26 gusht, Tirana Futsal – KMF Radnik Bijeljina në ora 20:45.
Ky është edicioni i tretë radhazi që ndeshjet e njërit prej grupeve të Futsal Champions League zhvillohen në Shqipëri nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.