Udhëkryqi i rrezikshëm i kampionëve

0

Kampionët synojnë kthesën në transfertën e Laçit, aty ku kanë vuajtur gjithnjë. Nëse nuk fitojnë, bëhet “nami” 

Jurgen Zela

Laçi dhe Kukësi do masin forcat mesditën e sotme, në një takim që vlen shumë, sidomos për kuksianët të cilët e kërkojnë me çdo kusht fitoren. Në krahun tjetër është Laçi që ndeshjet në shtëpi synon që t’i fitojë të gjitha. Një Kukësi-Laçi mund të konsiderohet dhe si një “derbi” për shkak të pozitës gjeografike që kanë këto dy skuadra që shtrihen në veri, por dhe rivalitetit që kanë me njëra-tjetrën. Kukësi dhe Laçi janë përballur shumë herë bashkë në vitet e fundit, teksa janë ndeshur dhe në dy finale Kupë, ku secila ka fituar njërën prej finaleve. Nëse në çdo ndeshje Laçi ka synim që të marrë fitoren, ndeshjet në shtëpi i konsideron si detyrim për të marrë tre pikët. Në krahun tjetër është Kukësi që e ka “jetë a vdekje” këtë ndeshje, pasi e sheh mundësinë e fundit për të synuar titullin. Në të tilla kushte premtohet një ndeshje e luftuar në aspektin sportiv, por dhe me shumë rivalitet dhe në tribunat e saj. Stadiumi pritet të jetë më i mbushur se zakonisht, pasi në Laç duan që ta fitojnë këtë derbi në thonjëza. Në fazën e parë Kukësi arriti që të fitonte pastër me rezultatin 3-0, por në Laç nuk do të jetë aspak e thjeshtë, kjo dhe për faktin se kanë vite që nuk fitojnë në fushën e kurbinasve. Të vetmin triumf në transfertë e kanë arritur falë një 11-metërshi në minutën e fundit shtesë, kur asokohe vendoste Igli Allmuça. Milinkoviç ka në dispozicion të gjithë arsenalin e tij për të synuar maksimumin, ndërsa në krahun tjetër trajneri Mezani nuk ka në dispozicion vetëm Sefgjini, i cili është i pezulluar. Vetëm 4 pikë është diferenca mes tyre dhe me një triumf Laçi do të sinjalizonte se mund të synojë diçka më shumë se mbijetesa. Kukësi vjen me shumë presion nga humbja me Partizanin dhe duhet të mundë dhe atë që të gjejë suksesin, ndërsa vendasit mund ta konsiderojnë si pozitiv barazimin e marrë në Gjirokastër. Fati  i Kukësit kalon nga Laçi, i cili përballë Kukësit është gjithnjë i motivuar për të marrë maksimumin.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.