Edi Reja ishte ai që u përzgjodh për të zëvendësuar Kristian Panuçin në krye të kombëtares, ndërkohë që presidenti Armand Duka ka takuar dhe ka biseduar me disa trajnerë të huaj. Mes tyre edhe Alberto Zakeroni, ish-trajneri i Milanit. Emri më sugjestionues ka qenë ai i Roberto Donadonit, një pjacë e lartë për federatën tonë.
Së fundmi është zbuluar edhe një tjetër emër i cili është kontaktuar nga Duka. Françesko Guidolini, i njohur nën drejtimin e Udinezës në Serie A, ka marrë një ofertë. Në fund ai ka menduar të presë të duhurën, por ka fjalë të mirë për Dukën.
“Zgjodhën Rejan dhe jam i lumtur, sepse e meriton që të bëjë sa më mirë. Po, e vërtetë që më kërkuan edhe mua dhe u treguan shumë zotërinj dhe të sjellshëm. Sidomos presidenti Duka, por preferova të prisja për të parë se si do të zhvillohej situata në këtë fazë të sezonit”, është shprehur Guidolini për “calciomercato.com”