Milani mori një fitore mjaft të vuajtur fundjavën që lamë pas, në transfertë ndaj Udinezes. Goli i fitores në atë sfidë u shënua nga kapiteni Alesio Romanjoli, i cili shënoi në minutën e 97-të. Festa e kuqezinjve u prish fillimisht nga arbitri anësor, i cili sinjalizoi për një pozicion të parregullt, por sistemi VAR, riktheu buzëqeshjen e “djallit” dhe ekipi i Gatuzos festoi fitoren.
Gjatë momentit të parë, të anullimit të golit, nga stafi i Milanit pati shumë kontestime. Andrea Konti, një ndër më të ashprit ndaj arbitrave, është pezulluar për tre takime. Mbrojtësi italian u pa të shtynte arbitrat dhe t’u bërtiste, gjë që ka sjellë dhe pezullimin e tij. 24-vjeçari sapo ishte kthyer nga një dëmtim, që e mbajti larg fushave për më shumë se 8 muaj.
Andre Konti, bëri rikthimin e tij si titullar me ekipin Primavera të Milanit, ku luajti për 60 minuta dhe pati sinjale pozitive prej tij. Tashmë mbrojtësi nuk do të jetë në dispozicion të Gatuzos dhe për tre ndeshje të tjera, ndaj Juventusit, Lacios dhe Parmës.