Ditët po kalojnë, ndërkohë që në “Roza Haxhiu” nuk shfaqet asnjë punëtor. Lushnja e detyruar të luajë disa ndeshje në fushë asnjanëse
Edhe pas dëshirës së shprehur nga institucioni i Bashkisë Lushnje për fillimin sa më shpejt të rikonstruksionit të ambienteve të brendshme të tribunës në stadiumin “Roza Haxhiu”, deri në këto momente nuk duket asnjë shenjë reagimi nga ky institucion. Pas interesimit që kemi bërë në FSHF, na është thënë se qeveria e futbollit shqiptar është e gatshme për të lëvruar fondet për vendosjen e tapetit të ri, por është në pritje të dhënies së “OK”-it nga Bashkia e Lushnjes për fillimin e punimeve. Çdo ditë e humbur nga fillimi i punimeve në “Roza Haxhiu”, për verdhejeshilët e sapo ngjitur në Superiore përkthehet me një ndeshje më shumë në fushë asnjanëse.
Përveç futbollistëve, që kanë vendosur të jenë pjesë e Lushnjes edhe në sezonin tjetër, ata që e ndjejnë më shumë ankthin dhe panikun e këtyre vonesave janë sportdashësit lushnjar, të cilët mezi e kanë pritur rikthimin e ekipit të tyre në elitën e futbollit shqiptar. Shumë pikëpyetje ka në lidhje me gjetjen e sponsorëve për ekipin, si dhe në lidhje me fillimin e rikonstruksionit të stadiumit. Këto krijojnë një mjegullnajë pasigurie tek ultrasit lushnjar dhe kjo për faktin se mungesa e financave të shëndosha, si dhe zhvillimi i ndeshjeve të shtëpisë në fusha asnjanëse do të bënte të mundur faktin e hidhur se Lushnja do të ishte thjesht një vizitor kalimtar në Superiore. Kjo normalisht që i shqetëson tifozët, që presin reagim të menjëhershëm të drejtuesve të klubit, pasi çdo ditë që ikën është në disfavor të tyre.