U mund në shtëpi në ndeshjen e parë, Pioli nuk i frikësohet fare Romës: Fitojmë si një Milan normal, nuk duhet të bëjmë asgjë të jashtëzakonshme

Pioli beson ende se Milani do të kalojë në gjysmëfinalen e Europa League. Pasi Roma fitoi me shifrat 1-0 në çerekfinalen e parë, në shtëpinë e kuqezinjëve, trajneri Pioli shprehet i sigurt për përmbysjen e rezultatit.

“Leao duhet të mësojë të menaxhojë presionin dhe pritshmëritë. Ai ka talent mbi mesataren. Në mjedisin tonë kritikat dhe komplimentet janë të ekzagjeruara dhe do ta shoqërojnë gjatë gjithë karrierës së tij.

Për të mposhtur Romën, thjesht duhet të luajmë siç dimë, asgjë e jashtëzakonshme. Skuadra ka cilësi, ata duhet të dinë se çfarë të bëjnë me dhe pa top, por kjo është puna ime. Tani është momenti vendimtar i kampionatit: ne kemi Romën, Interin dhe Juven. Do të shkojmë në Romë për të fituar, besoj shumë te lojtarët e mi. Interi?  Nuk e mendojmë ende, së pari është Europa League”, tha Pioli. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/