“Turi i forcës” në Madrid, 5 ndeshje në 15 ditë

0

Kampionët e Europës e nisën në mënyrën më të mirë mbrojtjen e titullit. Reali i Madridit fitoi 3-0 përballë Romës në ndeshjen e parë të Champions League, por tashmë trajneri Lopetegui duhet të shfrytëzojë të gjithë kontingjentin në dispozicion, për të bërë të mundur që “Los Blancos” të jenë kompetitivë në La Liga dhe në Europë.

Pas suksesit ndaj Romës, te Reali nisën menjëherë përgatitjet për ndeshjen me Espanjolin në kampionat, ndërsa forcat duhen menaxhuar, pasi muaji frenetik mbyllet me derbin ndaj Atletikos së Madridit në fund të shtatorit. Trajneri konfirmoi se do të bëjë disa ndryshime në ekip, në mënyrë që të gjithë lojtarët të jenë të freskët për sfidat e radhës.

Dyshime mbeten në portë. Kejlor Navas u aktivizua në ndeshjen e Champions në mesjavë, por për sfidën e radhës Lopetegui nuk pranoi të zbulojë nëse titullar do të jetë ai apo Tibu Kurtua. E sigurt është mungesa e Dani Karvahal, i cili nuk u stërvit me skuadrën, por shpresohet të jetë gati për sfidën e së mërkurës së ardhshme ndaj Sevijas.

Më pas vjen derbi ndaj Atletikos, më 29 shtator, por edhe në këtë rast nuk do të ketë kohë për të pushuar. Më 2 tetor Reali i Madridit do të luajë në Champions League ndaj CSKA-së së Moskës, ndërsa më datë 6 i pret trasferta me Deportivo Alavesh në kampionat. Pjesa e vështirë ka nisur dhe te klubi “mbretëror” nevojitet kontributi i të gjithëve.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.