Rrumpallë! Nuk mund të thuhet asnjë fjalë tjetër për situatën e mesfushorit me tipare të avancuara Erald Çinari, Vllaznisë dhe Alaveshit. Ndërmjet lojtarit, klubit të ri dhe klubit mëmë është formuar një trekëndësh i bukur që mund të nxjerrë “blof” dhe misterin e Bermudës për nga vështirësia e zgjidhjes.
Erald Çinari kaloi nga ekipi i Vllaznisë për te skuadra spanjolle e Alaveshit për shifrën e 20 mijë eurove. Palët kanë rënë dakord, paratë kanë kaluar nga llogaria e klubit spanjoll drejt arkave të klubit shkodran dhe gjithçka u zyrtarizua dhe nga “Trasnfermarket”, madje kalimi i 21-vjeçarit verifikohet lehtësisht dhe te transferimet e klubit spanjoll.
21-vjeçari u huazua nga Alaveshi te skuadra e Istras në Kroaci. Atje po has probleme, pasi nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje. Lojtarit iu premtua se Vllaznia do t’i jepte lejen e kalimit në momentin që do të përcaktohej administratori i ri. Suad Lici u vendos, por ende nuk i ka kaluar leja e kalimit. Ai, klubi Vllaznia, nuk pranon që lojtari të kalojë te Alaveshi, pasi deklaron se klauzolat dhe mënyra e transferimit nuk është e rregullt nga ana e Çinarit dhe klubit spanjoll.
Alaveshi nuk pranon të futet në diskutime, pasi e ka mbyllur njëherë marrëveshjen dhe do ta depozitojë çështjen në FIFA. Vllaznia nuk pranon të nisë lejen e kalimit, pasi mendon se klubi spanjoll nuk ka kryer procedurat si duhet, ndërsa Çinari duket se do të mbetet “peng” i kësaj mosmarrëveshjeje, pasi nuk do të mund të luajë. Keqardhje!