Tre muaj pa paga, ekipi i së Parës drejt shpërbërjes!

Ndërsa dimri të kushtëzon stërvitje dhe merkato për të qenë të gatshëm për pjesën e dytë të sezonit, te Iliria e Fushë Krujës po ndodh e kundërta. Pas mbylljes së javës së 14-të, te kjo skuadër janë rishfaqur problemet me pagat e vonuara, ku disa lojtarë titullarë kanë kushtëzuar vazhdimësinë e tyre vetëm pas pagesave të prapambetura.

Burime pranë kësaj skuadre konfirmuan për SportEkspres.com se problemi i pagesave të futbollistëve (pagat mujore) ka tre muaj që është prezent, me premtime po pa asnjë zgjidhje. Kjo situatë i është bërë prezente trajnerit Fatmir Sala, por edhe drejtuesve të këtij klubi, të cilët deri në mbylljen e vitit 2018 nuk i gjetën mundësitë financiare për pagesat e futbollistëve.

Kështu, duke qenë se tek Iliria futbollistët kanë tre muaj pa u paguar, vitin e ri 2019 ata e kanë kaluar thatë. Por më e veçanta është se kjo situatë e paralajmëruar gjatë vitit të kaluar nuk ndryshoi dhe skuadra duket se po e kap pragun e shpërbërjes së saj.

Iliria renditet në vendin e tetë në Grupin A të Kategorisë së Parë, ku në 14 javë ka grumbulluar 15 pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *